Fetahu akuzon për donacion nga Kuvajti, përgjigje e guximshme nga Sulejmani: Nëse është e vërtetë tërhiqem nga jeta publike!

nga I Z

Shkup, 15 korrik– Kryetari i BFI-së, Hfz. Shaqir Fetahu ka akuzuar dekanin aktual të Fakultetit të Shkencave Islame, Shaban Sulejmanin, ku mes tjerash akuzohet “si njeri shumë tendencioz dhe tërësisht i dështuar në postin drejtues të FSHI-së”.

“E para, dekani me automatizëm është edhe anëtarë i Rijasetit dhe, secili reis do të dëshironte që anëtarët e Rijasetit t’i kishte “për vete”! Prandaj, edhe përzierja e reisit në zgjedhje të dekanit do të ishte një “përzierje” sa normale aq edhe e nevojshme për drejtuesin e Rijasetit.
E dyta, a na tregon dr. Shaban Sulejmani se kush e zgjodhi, i përzgjedhuri i kujt ishte dhe kush e emëroi atë tetë vite më parë në krye të dekanllëkut?! Natyrisht, e përzgjodhi, madje në një proces aspak demokratik dhe emëroi H. Sulejman ef. Rexhepi. Atëherë të gjithë e pranuan si zgjidhje sepse ishte njeriu më i përshtatshëm që i duhej Rijasetit të Sulejman Rexhepit.
Alarmimi i opinionit se çfarë po ndodhkëka në këtë Fakultet, se si nga i gjithë stafi i profesorëve Shaqir Fetai e paska një të preferuar të vetin të cilin dëshiron të zgjidhet dekan, është më tepër alarm për dëshpërimin fatal që e paskësh kapur dekanin aktual, i cili, për tetë vite me radhë nuk ia paska dalur që të mbjellë pak respekt te trupa votuese (profesorët) për ta zgjedhur “trashëgimtarin”e tij! Kjo flet për paaftësinë e tij prej menaxheri për ta bindur stafin akademik se duhet të jenë të pavarur dhe se nuk duhet të pranojnë kurrfarë ndikimi për ta zgjedhur drejtuesin e tyre.
Kjo flet se tërë stafi akademik mezi paskan pritur që ta përfundojë mandatin e dytë dekani aktual dhe ta çrrënjosin totalisht ndikimin e tij prej amatori dhe dështaku në punët menaxheriale të Fakultetit.
Një dekan i mirë, një koleg i dashur, pa dyshim që do të kishte ndikim për kohë të gjatë tek trupa vendimmarrëse dhe miratuese të një vatre arsimore. Një dekan i dështuar merr fund me të gjitha propozimet dhe dëshirat e veta që i pret t’i realizohen prej “babadimrit”! Meqë ra fjala te dekani aktual, insistojnë të dinë këta të BFI-së: a mund të na tregojë Shaban Sulejmani se ku e la donacionin kuvajtian për stipendia të studentëve tanë? Si u vodhën, kush i vodhi dhe si ndodhi që autoritetet kuvajtiane ta kuptojnë këtë hajni dhe ta stopojnë donacionin e tyre?”, thuhet në deklaratë, ku siç e vëreni aludohet edhe për një gjoja keqpërdorim të donacionit nga Kuvajti.

Mirëpo dekani Sulejmani këto akuza i quan insinuata dhe kategorikisht i hedh poshtë, shkruan Zhurnal.

“Në lidhje me akuzat dhe insinuatat e bëra nga Shaqir ef. Ferahu për donacionin kuvajtian për stipendia të studentëve, dëshiroj të sqaroj se:

Nuk ka pasur ndonjë donacion të tillë nga Kuvajti për studentët e Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup. Per këtë as që kam nënshkruar ndonjë dokument as që jam i informuar. Prandja, ky është një pretendim i pabazë dhe i pavërtetë. Kërkoj nga të gjith aktorët dhe institucionet shteterore dhe jo vetëm,që kjo që po them Unë të konstatohet”, përgjigjet Sulejmani.

Përsa i përket çështjes së menaxhimit të stipendive është një përgjegjësi e ngarkuar te Prodekani, shton ai në përgjigjen e tij.

“E per këtë ka dhe vendim që në çdo kohë mund te verifikohet. Prandaj, për këtë arsye, çdo insinuatë që ka për qëllim të më lidhë mua personalisht me çështjet e donacioneve apo shpërndarjes së tyre është një shpifje e kulluar siç din ta bën personi i appstrofuar.

Për të sqaruar më tej dhe për të mbrojtur integritetin tim dhe të institucionit që përfaqësoj, ftoj organet kompetente shtetërore, Drejtorinë e të Hyrave Publike, Policinë Financiare dhe të gjitha organet tjera që merren me hetimin e këtyre çështjeve, që të hetojnë këtë rast dhe mua personalisht. Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi penale dhe morale nëse vërtetohen këto shpifje”, thekson Sulejmani.

Ai premton se “nëse insinuatat e bëra rezultojnë të vërteta”, do të tërhiqem tërësisht nga jeta publike dhe pranoj çdo lloj dënimi.

“Por nëse janë thjesht shpifje, atëherë personat që i përhapin duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmtimin e reputacionit dhe nderit tim.

Duke qenë se insinuatat e bëra janë të pabazuara dhe të motivuara nga qëllime shum të ulëta për të mbuluar lojrat e intrigave të tyre, kërkoj që i apostrofuari ne fjalë të japë llogari edhe para xhemateve tona për çdo pretendim të bërë. Është detyrë e tij të sqarojë se ku kanë mbetur fondet e siguruara nga Emiratet Arabe dhe pse studentët tanë ende nuk i kanë marrë ato. Si dhe donacionet dhe ndihmat qe jane dëdikuar enkas për FSHI – Shkup asnjëherë nuk kanë arritur, porse kanë përfunduar në gjirollogarinë e dikujt, e për të shum mirë e din Shaqir ef. Fetahu”, përgjigjet Sulejmani.

Ai fton Fetahun por edhe të gjithë ata që kanë prova dhe dëshmi të vërteta mbi këtë çështje ti paraqiten para organeve kompetente.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë transparencë dhe drejtësi për të gjithë”, shprehet i bindur Prof.dr. Sulejmani./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More