Nju Jork, 29 nëntor – Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, z. Arben Fetai, ka nisur një vizitë zyrtare
disaditëshe në New York dhe Washington D.C., Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit të tij, z. Fetai do të zhvillojë takime të nivelit të lartë me përfaqësues të
institucioneve amerikane, me zyrtarë të sistemit të Kombeve të Bashkuara, si dhe me përfaqësues
të komunitetit shqiptar nga Maqedonia e Veriut që jetojnë dhe kontribuojnë në SHBA.
Pika qendrore e vizitës është pjesëmarrja në Konferencën e Dytë Globale për Shfrytëzimin e të
Dhënave për Përmirësimin e Matjes së Korrupsionit, e organizuar nga Programi për Zhvillim i
Kombeve të Bashkuara (UNDP), ku z. Fetai do të ndajë përvojat dhe angazhimet e Qeverisë së
Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Fetai do të marrë pjesë në manifestimet e organizuara nga
shoqatat shqiptare në New York me rastin e Festave të Nëntorit. Në vijim të agjendës, parashihen
takime të tjera pune që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe promovimin
ndërkombëtar të reformave në fushën e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe integritetit
institucional.