Filipçe për Ditën e Pavarësisë: Shteti nuk është i partive, për shtëpinë tonë duhet të luftojmë të gjithë

nga D. V.

Shkup, 8 shtator –  Kryetari i LSDM-së dhe lideri i opozitës, Venko Filipçe, në urimin e tij me rastin e 34-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, theksoi se 8 Shtatori 1991 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së vendit, kur qytetarët vendosën për shtet të pavarur.

Ai u shpreh se shteti nuk është pronë e partive apo e qeverisë, por u përket qytetarëve. “Kjo është shtëpia jonë dhe për të duhet të luftojmë të gjithë”, tha Filipçe, duke shtuar se Maqedonia u takon të gjithëve – atyre që jetojnë këtu dhe atyre që janë larguar, por nuk e kanë harruar vendin.

Filipçe theksoi se shteti nuk mbrohet vetëm me flamur e himn, por me institucione të drejta, gjyqësor të pavarur dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Ai paralajmëroi se rreziqet e sotme nuk vijnë nga armët, por nga korrupsioni, padrejtësia, diskriminimi dhe varfëria.

“Fatkeqësisht, vitin e kaluar gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur. Shteti po bëhet gjithnjë e më shumë pronë e pakicës dhe gjithnjë e më pak e qytetarëve. Ai është nën kërcënim nga braktisja e ëndrrës për integrim, nga shpërnguljet masive dhe shkatërrimi ekonomik”, tha ai, duke i bërë thirrje pushtetit për vetëdijësim politik dhe shtetëror.

Lideri i LSDM-së kujtoi se partia e tij ka qenë pjesë e të gjitha vendimeve historike në 34 vitet e fundit – nga ruajtja e shtetit në vitin 1991 dhe 2001, ndërtimi i institucioneve, rritja e pagës minimale dhe masat sociale, deri tek përballja me pandeminë dhe anëtarësimi në NATO.

Ai theksoi se hapi i ardhshëm i domosdoshëm është integrimi në Bashkimin Evropian. “Jemi në prag të Evropës. Këtë hap duhet ta bëjmë vetë, por të bashkuar. Sepse të gjithë duam të njëjtën gjë – një të ardhme të sigurt për shtetin dhe fëmijët tanë”, tha Filipçe, duke e mbyllur fjalimin me urimin: “Gëzuar Dita e Pavarësisë. Të jetë i fortë shteti ynë dhe e ndershme lufta jonë.” (PressOnline.al)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More