Shkup, 3 tetor – Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov sot ka realizuar takim me ambasadorin e Francës, Kristof Le Rigoler ku është biseduar për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e gjyqësorit, projektet dhe agjendën e reformave.

Ambasadori Rigoler, siç kumtojnë nga Ministria e Drejtësisë, përshëndeti planet e ministrit Filkov për reforma dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të ndihmuar në gjitha proceset me asistencë të ndryshme, duke përfshirë asistencën e ekspertëve, me qëllim të përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, ministri Filkov informoi se nga 16.09.2024 ka filluar angazhimi i ekspertes franceze, Sesilia Maronie e cila ka përvojë të gjerë në fushën e gjyqësorit. Nga ana jonë, thuhet në kumtesë, janë siguruar të gjitha parakushtet për të mundësuar funksionimin normal të saj.

“Si veçanërisht i rëndësishëm është theksuar bashkëpunimi me gjyqtarin për lidhje që është në Beograd dhe atasheun për siguri të brendshme në Shkup të cilët me aktivitetet e tyre ndihmojnë në realizimin e reformave”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Në takim u diskutua edhe për agjendën juridiko-ligjvënëse të Ministrisë së Drejtësisë, paralajmërimet për fillimin e debateve publike për Propozim-ndryshimet në ligjet për Këshillin gjyqësor dhe Prokurorinë publike si dhe për Strategjinë zhvillimore sektoriale për gjyqësorin (2024- 2028).
Filkov dhe Rigoler u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.