Shkup, 19 shtator – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka takuar dje në selinë e partisë në Tetovë kryetarët e degëve të partisë, funksionarë dhe ish-funksionarë.
Përmes një njoftimi të bërë në Facebook nga kryetari i BDI-së në Tetovë, Faton Ahmeti, ai shkruan se BDI fuqishëm me popullin do ta mbrojnë legjitimitetin dhe dinjitetin kombëtar.
“Së bashku me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, dhe Sekretarin Organizativ, z. Blerim Bexheti, takuam kryetarët e degëve, dhe një pjesë të funksionarëve dhe ish funksionarëve të nivelit qendror.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike më e organizuar në hapësirën shqiptare, në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vazhdojmë të organizohemi edhe më fuqishëm së bashku me popullin në mbrojtje të legjitimitetit!”, ka shkruar “Ahmeti Junior” (Faton Ahmeti).
Postimi është shoqëruar me fotografi nga takimi. Asnjëra prej këtyre fotografife nuk reflekton optimizmin se BDI mund të kthehet në pushtet së shpejti. Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për derte të miletit, të shtetit, apo pushtetit, por në përgjithësi fotografitë tregojnë fytyra të ngrisura të zyrtarëve të BDI-së, shkruan Zhurnal.
Që nga formimi i qeverisë së re, shumë anëtarë, simpatizues, por edhe zyrtarë të kësaj partie pse jo, përhapin optimizëm se “brenda disa muajve” të rikthehen në pushtet. Mirëpo fotografitë përplot fytyra të ngrysura, japin shenja pesimizmi dhe shenja për një rrugëtim të gjatë opozitar.
Sepse ditëve të fundit në favor të BDI-së nuk po shkojnë as zhvillimet tjera, veçanërisht to që kanë të bëjnë me rrugët dhe koridoret infrastrukturore. Prokuroria veçmë ka hapur proces për punën e Agjencisë së rrugëve në kohën kur drejtor i saj ka qenë Ejup Rrrustemi nga radhët e kësaj partie, kurse edhe zëvendës ministrja për transport, Kaltrina Zekolli-Shaqiri ka vërtetuar se shumë funksionarë nga radhët e “integristëve” kanë blerë prona në trasenë e paraparë me 6 tunele të autostradës Shkup-Bllacë. Qeveria e re këtë trase e ka vlerësuar si të palogjikshme, si për koston financiare, si për terrenin e zgjedhur, kure zv/ministrja Zekolli-Shaqiri është e bindur se edhe fletëpronësitë tregojnë se bëhet fjalë për funksionarë partiakë.
“Këto deklarata nuk janë vetëm deklarata në ajër, por janë deklarata të bazuara në fakte. Këto fakte shumë lehtë si gazetarë mund t’i investigoni dhe t’i gjeni fletëpronësitë dhe do ta keni shumë të qartë se në emër të kujt figurojnë pronat nëpër të cilat duhet të kalojë kjo rrugë. Kështu që po, ka abuzime, unë e thash edhe në daljen time paraprake, mendoj se duhet t’ua lëmë organeve kompetente që ta ecin punën dhe ta shohin se çfarë abuzime dhe çfarë natyre janë nëpër këto rrugë”, deklaroi Kaltrina Zekolli, Zv ministre e transportit, deklaratë e cila edhe më tepër inkriminon punën e qeveritarëve tanë të kaluar.
Ndoshta po e teprojmë me analizat e fotografive të djeshme nga takimi i Ahmetit me zyrtarët e partisë së tij, por nuk kemi si mos të përmendim mungesën e disa fytyrave të njohura partiake në këtë fotografi, shkruan Zhurnal. Poashtu në opinion është prezente dilema nëse mungesa e këtyre fytyrave është sinjal se ka filluar proces reformues brenda partisë, apo vetëm aktrim i reformave, duke larguar nga sytë e opinionit fytyra që nuk janë të pranueshme për shkak të stili si kanë qeverisur, deri sa të njëjtat fytyra vazhdojnë të jenë figura kryesore në prapaskenë të kësaj partie./Zhurnal