Shkup, 31 maj – Numri i të papunëve në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar për herë të parë kishte rënie nën kufirin prej 100.000 personash, megjithatë të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar kishte vetëm një rritje të vogël të numrit të të punësuarve. Në fakt, në periudhën e mëparshme nga viti 2019 deri në vitin 2023 ka një rënie të vazhdueshme të numrit të të punësuarve, transmeton zhurnal.mk.
Analiza jonë na tregoi se rënia më e theksuar e numrit të të punësuarve është në bujqësi. Numri i të punësuarve në sektorin “bujqësi, pylltari dhe peshkim” në vitin 2019 ka qenë 91.434 persona, ndërsa në fund të vitit të kaluar ai numër ka rënë në 62.287 persona. Matematika tregon se për gjashtë vjet numri i të punësuarve në këtë sektor është zvogëluar për 29.147 persona.
Është e dukshme se gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare ka rënie të numrit të të punësuarve edhe në industrinë përpunuese, në furnizimin me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim si dhe në disa veprimtari të tjera. Nga ana tjetër, një rritje e dukshme e numrit të të punësuarve vërehet në sektorin “informacion dhe komunikim”, në ndërmjetësimin financiar dhe në administratën publike dhe mbrojtjen.
Emigrimi është një nga arsyet kryesore për zvogëlimin e fuqisë punëtore në vend, dhe pikërisht bujqësia është sektori për të cilin ekziston interesi më i vogël nga të rinjtë.//Zhurnal