Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-prokurorin e Vlorës Aurel Zarka.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për ish-prokurorin do të jetë 2 vite e 8 muaj si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
Vendimi u mor nga trupa gjyqësore, e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Bibe Ndreca dhe Rudina Palloj.
Akuzat që rëndojnë ndaj Zarkës janë, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Aurel Zarka komunikoi përmes aplikacionit Sky Ecc me ish-oficeren Erjona Daupaj për të ndërhyrë në fatin e dosjes Toyota Auris, si dhe në dy çështje të tjera në qytetin bregdetar.