Gjykata Kushtetuese reagoi sot duke sqaruar vendimin e marrë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të cilin vlerësoi se ndalimi i tij nga SPAK ishte bërë në përputhje me ligjin dhe se nuk kishte nevojë për autorizim nga Kuvendi.
Kushtetuesja deklaroi se është shprehur vetëm për dy masat e dhëna ndaj Sali Berishës, ato të “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Sakaq, masa aktuale e sigurisë “arrest në shtëpi” do të shqyrtohet në një seancë tjetër dhe është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024.
“Duke marrë shkas nga lajmet dhe opinionet në media dhe portale, në lidhje me vendimmarrjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se vendimi i referohet masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo shqyrtimit të masës “arrest në shtëpi””, sqaroi Kushtetuesja.
Sikurse u deklarua dhe në Konferencën për shtyp të kryetares së Kushtetueses, Zaçaj, sqarohet po ashtu se për sa i takon vlerësimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkesa në lidhje me këtë masë është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateve dhe rregullave të parashikuara në ligj.
Një ditë më parë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën “detyrim paraqitje” ndaj Berishës, gjykata doli në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.