Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ka caktuar masën “arrest me burg” për 14-vjeçarin M.P i cili akuzohet se vrau me thikë bashkëmoshatarin Martin Cani.
Seanca u zhvillua në një spital privat në Tiranë, ku po mjekohet i mituri, autor i dyshuar i krimit që ndodhi mesditën e 18 nëntorit pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.
Ndaj të miturit Prokuroria kërkoi “arrest me burg”, të cilin e akuzon për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”.
Ndërsa policia e kishte referuar për akuzën e “vrasjes me dashje” 14-vjeçarin. Gjithashtu ndaj të miturit rëndon edhe akuza e mbajtje pa leje të armëve të ftohta.