Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në takimin me qytetarët e komunës së Shtimes shpalosi programin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai para të pranishmëve premtoi zhvillim ekonomik, infrastrukturë dhe vende pune duke themeluar Gjykatën e Punës.
Hamza po ashtu premtoi rritje të pagave për 50%, ndërsa pensionet për 70%, si dhe investim prej 6 miliardë eurosh në infrastrukturë për 4 vite.
“Në ditën time të parë si kryeministër, do t’i filloj ndryshimet e nevojshme për realizimin e rritjes 50% të pagave dhe 70% të pensioneve bazike”, tha Hamza.
Në këtë tubim Hamza u shoqërua nga ambasadori William Walker.
“Ky është qytet i ndërmarrësve të suksesshëm, qytet i dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të luftës. Shtimja është nyje që lidhë qytetet e Kosovës, por edhe Kosovën me historinë tonë. Mikun e madh të shqiptarëve e falënderova për rolin e madh që ka luajtur për lirinë tonë. Ndërsa, qytetarët e Shtimes, i sigurova se atë që e premtoj, edhe e realizoj”, tha Hamza.
Ndërsa kryetari i degës së PDK-së në Shtime, Rrahman Jakupi, tha se lista e tyre është lista më e mirë e profesionistëve.
Sipas tyre, me PDK-në, Shtimja dhe Kosova pas datës 9 shkurt do të përjetojnë zhvillim për secilin qytetar.