Strugë, 6 korrik – Nga koalicioni VLEN kanë njoftuar se sonte ata kanë hapur shtabin zgjedhor në Strugë. Zv/kryeministri Izet Mexhiti, në një postim në rrjetin social facebook shkroi se sonte Struga u zgjua për ndryshim dhe se foli qartë.
Zv/kryeministri Izet Mexhiti, para të pranishmëve tha se Struga u zgjua për ndryshim dhe se foli qartë.
“Në zemër të qytetit tonë të bukur, u hap me madhështi shtabi për zgjedhjet lokale, vendi ku nis organizimi për ndryshimin që e kemi pritur gjatë. Qindra struganë të mbledhur, energji e jashtëzakonshme, besim i palëkundur, ky është urimi më i mirë drejt fitores që na pret! Shef i shtabit do jetë Albrim Hoxha, një djalë i përkushtuar, i guximshëm, me vizion dhe rrënjë të thella në Strugë. Nën drejtimin e tij, ky shtab do të jetë zemra e fitores! Struga po kërkon ndryshim. Dhe ne jemi përgjigjja. Ne jemi zëri i qytetarëve që nuk duan më premtime boshe. Ne jemi shpresa e gjeneratave të reja. Ne jemi garancia që Struga do të qeveriset me dinjitet, drejtësi dhe punë konkrete.
Në këtë frymë ndryshimi, VLEN i jep mbështetje të plotë kandidaturës së pavarur të biznesmenit Mendi Qyra, një emër që mishëron suksesin, integritetin dhe vizionin për një Strugë më të zhvilluar. Shtabi është hapur, dhe fitorja nis KËTU! Le ta kthejmë Strugën në simbolin e fitores, të qeverisjes së ndershme dhe të energjisë qytetare. Ky është momenti ynë. Ky është viti ynë. Dhe bashkë me struganët do bëjmë ndryshimin! Struga u zgjua. Struga fiton. Struganët vendosin, jo klanet!, tha zv/kryeministri Mexhiti.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër, theksoi rëndësinë historike të kësaj mbështetjeje dhe punën që VLEN ka bërë në nivel qendror. “Kandidatura e Mendi Qyrës nuk është për hir të ndonjë partie, por për hir të Strugës. Këtë po e bëjmë për qytetin, për të ardhmen e tij!”, tha Fetai duke shtuar se pas një viti qeverisjeje, VLEN ka arritur të zbatojë ato shtylla të Marrëveshjes së Ohrit që BDI i kishte lënë pas dore për 22 vite.
Bilall Kasami tha se ky është hapi i parë drejt një fillimi të ri për Strugën.
“Për vite me radhë, Struga ka jetuar nën hijen e keqqeverisjes, mungesës së vizionit dhe zhgënjimit të thellë të qytetarëve. Me Qeverinë VLEN, procesi i ndryshimit ka nisur, por nuk është përmbyllur, sepse Struga meriton më shumë. Ajo meriton të rikthehet aty ku i takon: si një qytet i zhvilluar, i drejtë dhe i hapur për të gjithë”, tha Kasami.
Adnan Azizi, shef i shtabit qendror të VLEN, u shpreh se Mendi Qyra ka kthjelluar skenën politike në Strugë. “Pas shpalljes së kandidaturës së Mendiut, u shua zhurma dhe paniku në Frontin e zullumit. Ata që dikur ziheshin për Strugën, sot i luten njëri-tjetrit të heqin dorë. Ju që e mbështetët këtë kandidaturë bëtë përzgjedhjen më të mirë të mundshme. Të tjerët, nëse kanë guxim, le të dalin në mejdan”, tha Azizi.
Albrim Hoxha, i cili u zgjodh shefi i shtabit lokal në Strugë, theksoi se kujdesi që VLEN po tregon për qytetin është i padiskutueshëm. “Vetëm këtë vit janë ndarë 10 milionë euro për Strugën. Kemi filluar projektin e bulevardit hyrës dhe ndërrimin e gypave të azbestit. Kjo është përkujdesje, jo premtime boshe”. Ai shtoi se Mendi Qyra është figurë unifikuese që nuk ka pasur asnjëherë detyrim politik, por gjithmonë ka dhënë për qytetin. “Në Strugë nuk ka vend për gara politike për kryetar komune. Mendi Qyra është zgjedhja e qytetarëve”, tha Hoxha.
Bekim Qoku denoncoi keqmenaxhimin e egër nga udhëheqësia aktuale dhe i bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin ndershmërinë dhe transparencën. “Janë keqmenaxhuar mbi 18 milionë euro nga një buxhet prej 20 milionësh. Struga është kthyer në çerdhe të ndërtimeve pa leje dhe favorizimeve kriminale. Mjaft më! Me Mendi Qyrën fitojnë qytetarët, fiton Struga”, tha Qoku