Koçan, 8 dhjetor – Reshjet e shiut kanë shkatërruar rendimentin e orizit në rajonin e Koçanit. Përmbytjet e fundit në këtë zonë përbëjnë një goditje të re për prodhuesit e orizit, të cilët thonë se të paktën 30% e orizit ka mbetur i papërpunuar, sepse makineritë nuk mund të futen në arat e mbushura me baltë.
Bujqit e vlerësojnë situatën si katastrofale. Ata thonë se dëmet janë të mëdha, ndërsa mbjellja e vonuar dhe hambarët e mbushur me prodhimin e vitit të kaluar e përkeqësojnë edhe më shumë problemin. Shtrohet pyetja: si mund të ndihmojë shteti për të zbutur gjendjen aktuale?
Edhe këtë vit u pa se masat parandaluese kanë dështuar, dhe se rajoni nuk është i përgatitur as për reshje të lehta shiu, të cilat vetëm para një jave shkaktuan përmbytje.
Ndryshe, blerja e orizit për rezervat shtetërore do ta zbusë disi problemin, por nuk do ta zgjidhë plotësisht çështjen e orizit të pashitur nga korrja e vitit të kaluar, vlerësojnë orizkultivuesit.
Rreth 20 mijë tonë oriz i përpunuar qëndron i pashitur në hambarët e bujqve, dhe po ashtu ka sasi të mëdha të pashitura edhe në depozitat e grumbulluesve. Pritet që Qeveria të ndihmojë në gjetjen e tregjeve për prodhimin e vjetshëm, në mënyrë që të krijohen kushte për grumbullimin e këtij viti. Sivjet, orizi është kultivuar në rreth 4.000 hektarë tokë.