Prokuroria e Posacme SPAK ka reaguar për herë të parë për A2 CNN lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me akuzat për korrupsion.
Përmes një njoftimi, SPAK bën me dije se ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje, shkruan A2 CNN.
Dyshimet e SPAK janë për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Kujtojmë se ditën e djeshme Veliaj dëshmoi për më shumë se 5 orë në SPAK, ndërkohë që gjatë kohës që ai ishte atje, u thirr edhe demokrati Belind Këlliçi.
Reagimi i SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.