Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se hetuesi i SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, është diplomuar këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit, çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë.
Ambasada e SHBA përgëzoi hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së.
“Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thekson ambasada amerikane.
Sipas ambasadës së SHBA, arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.