Shkup, 13 dhjetor – Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka deklaruar se situata në pikat kufitare është e qetë dhe pa probleme, pas mbërritjes së gjeneralëve të luftës në Shkup, për protestën e sotme në sheshin Skënderbe.
Sipas Gucatit, qytetarët po e kalojnë kufirin shumë qetë, ndërsa kontrollet janë rutinore dhe përfshijnë vetëm verifikimin e pasaportës ose letërnjoftimit, pa kontrolle të detajuara apo të shtuara.
“Po sa mbërritëm gjeneralët e luftës në Shkup në sheshin Skënderbe, kufiri është i qetë, qytetarët kanë kaluar shumë qetë. Kontrolla është rutinë e pasaportës ose letërnjoftimit, pra nuk është ajo kontrollë e detajuar siç themi ne”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka falënderuar të gjithë iniciatorët që kanë kontribuar në këtë organizim, duke theksuar se në kufi ka doganierë dhe policë shqiptarë, gjë që, sipas tij, përbën suksesin më të madh të këtij procesi.
“Falënderoj të gjithë ata iniciatorë të cilët kanë dërguar doganier shqiptar, polic shqiptar kemi në kufi dhe ky është suksesi jonë më i madhi”, ka theksuar Gucati.
Gucati bëri të ditur se ekziston edhe një marrëveshje verbale për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, duke zbuluar se ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti.
“Kemi bë marrëveshje me gojë, më ka telefonuar kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i cili më ka thënë se kufiri do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët shqiptarë që do të vijnë në protestë sot”, u shpreh ai.
Sipas Gucatit, edhe nëse ndonjë qytetar ka ndonjë dënim në komunikacion, kjo nuk nënkupton se ai është në ndonjë listë ndalese, duke siguruar se deri në këto momente gjithçka po zhvillohet normalisht.
“Dikush mund të ketë ndonjë dënim në komunikacion, por kjo nuk do të thotë se është në listë. Deri në këto momente kufiri është i qetë”, përfundoi Gucati.
Protesta e sotme në Shkup pritet të zhvillohet në mënyrë paqësore, me pjesëmarrje të qytetarëve shqiptarë nga vende të ndryshme.