Shkup, 29 korrik – Migrimi po zbraz shkollat, po lë pa studentë universitet dhe shumë shtëpi të mbyllura e me drita të fikura të cilat ndezën një apo dy herë në vit kur këta mërgimtarë kalojnë pushimet e tyre vjetore në vendlindje. Ikja nuk po njeh moshë a profesion pothuajse është shndërruar në një veprim ngjitës që secili i dytë planifikon të lëshojë vendin. Shifra alarmante dhe mjaftë shqetësuese për sa i përket punëtorëve që kanë lëshuar vendin. Vetëm pesë vitet e fundit afër 170 mijë punëtorë kanë ikur. Kjo nënkupton që për një periudhë të shkurt kohore vendit do t’i mungojnë rreth gjysmë milioni banorë, shkruan Zhurnal.
Vetëm në pesë vitet e fundit kanë ikur 170 mijë punëtorë –
Shifra alarmante të ikjes së popullatës nga Maqedonia e Veriut. Për pesë vite vendin tonë e kanë braktisur 170 mijë punëtorë, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti nga Maqedonia e Veriut kanë ikur 2738 persona, thonë statistikat e fundit të Entit shtetëror të statistikave. Ky numër është edhe më i lartë tani gjatë verës kur shumë punëtorë dhe studentë vërshojnë Evropën për të punuar një punë sezonale.
Të dhënat flasin se për 20 vite vendin e kanë lëshuar 200 mijë punëtorë ose 9% nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Përllogaritjet e vitit të kaluar ishin se vendit i mungonin rreth 10,000 punëtorë në vit, ndërkaq më të goditur janë sektori turizmit dhe ndërtimtarisë.
Statistika e migrimit 2005-2023 –
-2005 – 459.000 persona në megrim; -2010 – 527.000 persona në megrim; -2015 – 563.000 persona në megrim; -2019 – 658.000 persona në megrim; -2020 – 693.900 persona në megrim; -2018 – 2023 – 165.976 persona janë larguar nga vendi; -2013 – 2021 – 2500 persona janë larguar nga vendi; -2.738 persona kanë ikur vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024. Kujtojmë që, numri i përgjithshëm i banorëve që jetojnë jashtë RMV-së është rreth 800.000
Sociologu Sadik Emroja thotë se këto shifra nuk mund të quhen migrim, por ikje masive e popullsisë së vendit.
“Statistikat flasin për një numër alarmant që kemi një jo ikje, jo mërgim , jo kurbet, por një shpërngulje ose në kohë lufte quhet egzod. Këto statistika që për vitet e fundit flasin për kaq numër të madh të lëshimit të vendit në sociologji paraqiten në tre variante ose tri kushte të cilat duhet t’i plotësojnë një shtet. Këto shifra kanë arritur për shkak të sigurisë, nuk vlerësohet meritokracia, nuk ka shëndetësi të mirë, nuk ka arsim”, tha Sadik Emroja, profesor i Sociologjisë, për TV21.
Të frikshme janë edhe shifrat e numrit të lindjeve në 73 vitet e fundit në vendin tonë, pasi vazhdimisht numri është në rënie. Në vitin 1950 për një vit ka pasur 49 mijë të porsalindur, ndërsa në vitin 2023 kemi 16 mijë të porsalindur.
Statistika e të porsalindurve –
Në vitin 1950- 49 mijë të porsalindur; Në vitin 1960- 44 mijë të porsalindur; Në vitin 1970-37 mijë të porsalindur; Në vitin 1980-39 mijë të porsalindur; Në vitin 1990-35 mijë të porsalindur; Në vitin 2000-26 mijë të porsalindur; Në vitin 2010-24 mijë të porsalindur; Në vitin 2020 -19 mijë të porsalindur; Në vitin 2023-16 mijë të porsalindur
Por sociologu Emroja, thotë se numri i lindjeve nuk ka rënë. Sipas tij shifrat janë të tilla pikërisht për shkak migrimit, pasi tani lindjet ndodhin jashtë shtetit.
“Nuk ka rënë, lindjet nëse kanë qenë në vitet e 60, 69 mijë, sot po ta flasim janë mbi 150 mijë, por ato fëmijë nuk lindin në Maqedoni por lindin në Zvicër, Gjermani, Itali France, Suedi etj etj. Me një fjalë i zbrazëm shkollat tona, i lamë shtëpitë tona mbushim shkollat e shteteve të perëndimit, nuk fajësoj asnjë mërgimtar”, përfundoi Emroja.
Ndryshe Maqedonia është në top 20 vendet e botës me emigrim më të madh jashtë vendit, ndërsa sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, pothuajse 40 për qind e popullsisë me arsim të lartë është larguar nga vendi.
Kujtojmë që, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, numri i nxënësve në të gjitha shkollat fillore të vendit ishte 185.099, që paraqet një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak 2021-2022.
Shkollat shqiptare po boshadisen gjithandej, kryesisht në numër më të madh dhe shqetësues, nga Tetova, Kumanova, Likova, Gostivar, Kërçovë, Dollnen, Veles, si dhe nga kryeqyteti Shkup. Në një deklaratë për KlanM profesori universitar Fati Iseni ka sjellë disa shifra konkrete të cilat tregojnë në mënyrë të qartë numrin e nxënësve që sot mungojnë.
“Nëse në vitin 2006-2007 në nivel shtetëror kishim 228.207 nxënës në vitin 2020-2021 kemi 185.925 nxënës. Do të thotë në nivel shtetëror kemi rënie për 44 mijë e 282 nxënës. Kjo do të thotë se një qytet i tërë na mungon në shkolla fillore apo 18,5% jashtëzakonisht shifër e lartë” ka thënë Fati Iseni, profesor universitar.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk