Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, mbi punën e institucioneve të drejtësisë, për dy prej të cilave, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, ka hartuar një raport pas monitorimit të bërë veprimtarisë së tyre gjatë vitit 2023.
Inspektore magjistrate Elena Pelushi në fjalën e saj në këtë aktivitet në emër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, u shpreh se, “Inspektori i Lartë i Drejtësisë e vlerëson si tejet të rëndësishëm rolin e organizatave të shoqërisë civile, në monitorimin e punës së institucioneve të drejtësisë”.
Ajo theksoi se, “Komiteti i Helsinkit është një nga gjashtë organizatat, me të cilat ILD ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në mars të vitit 2022, me synim rritjen e performancës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përmes rritjes së komunikimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta, në kuadër të monitorimit, analizimit, procesit llogaridhënës dhe ndërgjegjësues mbi veprimtarinë e Zyrës së ILD-së, përmes shkëmbimit të të dhënave, organizimit të takimeve periodike, ofrimit të ekspertizës përkatëse të OSHC-ve të specializuara”.
Prandaj, shtoi Pelushi, “për ne është me shumë interes, të njihemi me këndvështrimet e aktorëve të jashtëm, të reflektojmë mbi to, e të përfitojmë prej tyre dhe të ofrojmë çdo sqarim të nevojshëm, për të kuptuar natyrën e punës së një institucioni aq specifik, siç është Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.
“Meqenëse veprimtaria e vitit 2023 është në qendër të këtij raporti, dua të sjell në vëmendje se ky vit ka patur ngarkesë të lartë pune për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkak se arritëm të përfundonin plotësisht trajtimin e backlogut, pra kontingjentin prej 2104 çështjesh, që ILD trashëgoi nga institucionet e mëparshme”, tha ajo.
Pelushi nënvizoi se, “paralelisht është vijuar me trajtimin e ankesave të ardhura nga qytetarët dhe kryerjen e inspektimeve, ndërsa nuk ka patur ndryshime në plotësimin e trupës së inspektorëve, një mangësi që vijon të mbetet një sfidë permanente për veprimtarinë e ILD-së. Në muajin shkurt 2023, institucioni i ILD-së është zhvendosur në ambiente të ndryshme pune, për shkak të rikonstruksionit të godinës, kjo sa për një panoramë të kushteve në të cilat është ushtruar veprimtaria deri në muajin tetor të 2024-ës”.
Megjithatë, shtoi ajo, “puna ka vijuar me të njëjtat parametra standardesh, duke u kujdesur për parimin kryesor të punës sonë, ruajtjen e balancës mes interesit të publikut për administrimin e drejtësisë dhe respektimin e pavarësisë së gjyqtarëve e prokurorëve”.
Pelushi u shpreh se, “gjatë vitit 2023, 1/3 e procedimeve të nisura, evidentuar saktë në raportin e paraqitur, kanë qenë me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një ilustrim se institucioni ynë mbetet i vëmendshëm edhe ndaj informacionit që bëhet publik, krahas analizimit të problematikave që evidentojmë nga ankesat direkte të qytetarëve a institucioneve. Thënë kjo, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e nënvizon vazhdimisht, se tek një informacion publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por është Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ai që mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin, që mund të pretendohet në këtë informacion publik”.
“Në filozofinë e punës së ILD-së, procedimi disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve nuk është as qëllim në vetvete, e as statistikë për të kënaqur këdo që e mat punën e një institucioni me numra. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vijon të mbetet i përkushtuar tek standardet që vendos, duke shqyrtuar interesat e ligjshme, si të ankuesit, ashtu edhe të magjistratit, duke gjykuar në mënyrë proporcionale dhe duke dokumentuar të gjitha provat dhe dëshmitë e paraqitura dhe duke respektuar të drejtat e magjistratit – objekt hetimi”, u shpreh ajo.
Kjo, u shpreh Pelushi, “pasi masat disiplinore kanë dy funksione. Së pari, rolin edukues, përmes të cilit, i sillet në vëmendje edhe magjistratëve të tjerë, standardi i duhur i punës, e së dyti, kur ky rol edukues nuk mund të kryhet, atëherë masa kthehet me natyrë të pastër ndëshkuese, duke marrë përsipër mbrojtjen e interesit publik, e larguar nga detyra magjistratin”.
“Në punën e vet, ILD udhëhiqet nga parimi se ky institucion nuk mund të jetë një çekan mbi kokat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por nga ana tjetër, nuk anashkalon në asnjë rast, ata gjyqtarë e prokurorë që shkelin ligjin, duke cenuar figurën e magjistratit dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia”, përfundoi fjalën e saj inspektore magjistrate Elena Pelushi.