Inteligjenca artificiale do të futet gradualisht në shkollat e Maqedonisë, Janevska: Po përgatit një dokument me udhëzime

nga Redaksia

Shkup, 21 qershor – Në kuadër të procesit të transformimit digjital të sistemit arsimor, integrimi i inteligjencës artificiale paraqet hapin e radhës logjik, i cili do të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme cilësinë, efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen e arsimit në Maqedoni. Po planifikojmë me kujdes dhe përmes një qasjeje strategjike do ta zbatojmë gradualisht këtë inovacion teknologjik në mënyrën e të mësuarit, zhvillimin e procesit mësimor dhe në përgjithësi në zhvillimin e burimeve njerëzore. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Samitin Ndërkombëtar për Teknologjitë Arsimore që po mbahet në Stamboll, nga 20 deri më 22 qershor 2025, në organizim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Kombëtare të Republikës së Turqisë, transmeton zhurnal.

“E kuptojmë se inteligjenca artificiale nuk duhet të zëvendësojë faktorin njerëzor në arsim, por ta plotësojë dhe ta përmirësojë atë, duke krijuar kushte për një mësim të personalizuar që i përgjigjet nevojave individuale të çdo nxënësi, studenti dhe mësimdhënësi. Kjo teknologji duhet të na ndihmojë të krijojmë një mjedis arsimor ku çdo individ mund ta zhvillojë potencialin e vet maksimalisht, pavarësisht nga aftësitë fillestare apo kushtet socio-ekonomike,” tha Janevska.

Ministrja theksoi se futja e inteligjencës artificiale në arsimin fillor është hapi i parë dhe më kritik. Fëmijët duhet së pari të fitojnë një kuptim bazë se çfarë është inteligjenca artificiale, si funksionon, ku e hasim në jetën e përditshme dhe të fokusohen në qasjen e saj etike.

“Nxënësit duhet të mësojnë të jenë kritikë ndaj informacionit që marrin nga sistemet e inteligjencës artificiale. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se inteligjenca artificiale mund të gabojë dhe të ketë paragjykime, prandaj të dhënat dhe burimet duhet të krahasohen. Në këtë drejtim, roli i mësuesit është kyç, dhe ai duhet t’i udhëheqë nxënësit përmes procesit të të menduarit kritik dhe përdorimit etik të kësaj teknologjie,” shtoi Janevska.

Ajo informoi se një grup pune pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me profesorë nga fakultetet e informatikës, po punon në përgatitjen e një dokumenti me udhëzime dhe rekomandime të veçanta për mësimdhënësit dhe nxënësit për përdorimin e inteligjencës artificiale gjenerative në procesin arsimor.

Janevska gjithashtu informoi se janë digjitalizuar shumica e shërbimeve që ofron sistemi arsimor, si regjistrimi i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme, nostrifikimi i diplomave të fituara jashtë vendit, dhënia e bursave për nxënës dhe studentë, akomodimi në konvikte për nxënës dhe studentë dhe aplikimi në konkurse nga fusha e shkencës. Është vendosur një sistem për mësimin në distancë, ndërsa gradualisht po futen edhe tekstet shkollore digjitale interaktive. Shkollat po pajisen me pajisje moderne IT për internet të sigurt dhe mësim kreativ, ndërsa mësimdhënësit po ndjekin trajnime për t’u përgatitur për sfidat digjitale.

Samiti Ndërkombëtar për Teknologjitë Arsimore organizohet për herë të gjashtë. Këtë vit, mbi 100 pjesëmarrës – hartues të politikave arsimore nga shumë vende, përfaqësues të institucioneve arsimore, kompani teknologjike globale dhe parqe teknologjike po përqendrohen në formësimin e së ardhmes së arsimit përmes përdorimit të inteligjencës artificiale. Në më shumë se 50 sesione diskutohet për fuqinë transformuese të inovacioneve digjitale në arsim dhe shkëmbehen përvoja lidhur me krijimin e strategjive për integrimin e teknologjisë në sistemet arsimore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More