Shkup, 24 qershor – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka njoftuar për realizimin e një mase të re për menaxhimin e trafikut në një nga rrugët më të frekuentuara të kësaj komune – “Cvetan Dimov”, përcjell Zhurnal.mk.
Në këtë rrugë, e cila karakterizohet nga intensitet i lartë i qarkullimit dhe lëvizje të vazhdueshme, janë vendosur shtylla elastike me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, disiplinimit të lëvizjes dhe eliminimit të parkimeve të parregullta që shpeshherë pengojnë qarkullimin normal.
“Këto masa janë pjesë e përpjekjeve tona për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më funksional për qytetarët. Politikat tona synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe adaptimin e hapësirës urbane ndaj nevojave reale të komunitetit,” u shpreh Ganiu.
Ky intervenim pritet të ketë ndikim pozitiv në rrjedhën e trafikut dhe të kontribuojë në uljen e rrezikut për aksidente, duke e bërë rrugën “Cvetan Dimov” më të sigurt si për shoferët, ashtu edhe për këmbësorët.// zhurnal