Shkup, 5 qershor – Në afrimin e kohës së zgjedhjeve lokale, partitë politike kanë filluar të përgatiten për rezultate më të mira. Në këtë kontekst, VLEN ditë më parë njoftoi se kryetar i Shtabit Qëndror për zgjedhjet e ardhshme do të jetë Adnan Azizi. Shtabi Qendror, në çdo fushatë serioze politike, është qendra nervore e të gjitha proceseve: e planifikimit, koordinimit dhe komunikimit me terrenin dhe me opinionin publik.
Por, shtrohet pyetja se si VLEN do të gjejë kandidatët më të sigurt që do të arrijnë deri te fitorja.
Siç mëson „Zhurnal.mk“, në VLEN fillimisht pritet të bëhet anketë me qytetarët dhe anëtarët e degëve partiake. Por, për të pasur një pasqyrë më të qartë se çfarë i duhet komunave, partitë duhet të ndërtojnë argumentet e tyre në bazë të tre parimeve: lidershipi, subjekti politik dhe kandidati.
Në anketën që do të shpërndahet tek anëtarët e partive politike brenda VLEN-it për një komunë të caktuar, të anketuarit duhet të shkruajnë se cili është lideri i tyre të cilit i besojnë më së shumti, cili subjekt politik konsidrohet se ka më shumë peshë dhe cili kandidat mendohet se mund të jetë më i përshtatshmi për të udhëhequr atë komunë.
Ky kombinim i pyetjeve në anketën që pritet të ndodhë është i rëndësisë së veçante dhe vetëm në këtë mënyrë do të dihet më qartë se kush e ka mbështetjen reale të qytetarëve në terren, shkruan “Zhurnal.mk”.
Zgjedhjet lokale, ndryshe nga ato parlamentare janë shumë specifike, sepse populli do të kërkojë zgjidhje për hallet e tyre çdo ditë nga kryetari i komunës.
Por, për të shmangur probleme nga e kaluara, siç ishte me rastin e kryetares së Shkupit, kur ajo mori mbështetjen e opozitës së atëhershme, por pasi u zgjodh kryetare e kryeqytetit u distancua nga ata që e mbështetën dhe nuk solli asnjë të mirë për qytetin, partitë kanë menduar të gjejnë zgjidhjen më të duhur për të emëruar të parin e komunës.
Në mentalitetin e politikbërjes te shqiptarët, rëndësi të veçantë ka lideri i partisë. Sepse ai shihet si garancia e bartjes së proceseve, shtyrjen e tyre dhe zgjidhjen në momente kyçe. Sidomos në përballjen me politikanët maqedonas, çështja e lidershiput nuk është vetëm menaxhuese me partinë, por duhet edhe autoriteti dhe largpamësia e cila do të gjejë zgjidhje në momente delikate.
Prandaj, lideri i partisë në zgjedhjet lokale ka autoritet në përzgjedhjen e kandidatit dhe kjo nënkupton se ai do t’i qëndrojë pas çdo kandidati që e emëron, në ditët e vështira dhe në ditët kur punët ngecin në terren. Sistemi i administratës në Maqedoninë e Veriut dihet se nuk është perfket, dhe shpeshherë për projekte të caktuara ku duhet intervenim në nivel më të lartë, nevojitet që lideri i partisë shqiptare të bisedojë me liderin e partisë së koaliconit që të përfitojnë shqiptaret hisen që u takon.
Andaj, në këtë prizmë, lideri i partisë duhet të ketë fjalën e tij gjatë vendosjes së emrave të kandidatëve për kryetar partie, shkruan “Zhurnal.mk”.
Faktor tjetër kyç është edhe subjekti politik i cili ka më shumë peshë në atë komunë. Të anketuarit do të pyeten se cilës parti i besojnë dhe i përkasin më së shumti qytetarët e kësaj komune. Si rrjedhojë e kësaj përgjigje, brenda VLEN-it do të dinë të fokusohen se nga cila parti politike duhet të vijë kandidati për kryetar komune ose për kryetar të këshillit komunal. Edhe pse VLEN është krijuar si parti e re, duke përfshirë katër subjekte ndër vete (LD, BESA, Alternativa dhe Vetëvendosje), sërish brenda këtij subjekti ka paqartësi se cila strukturë e ka peshën më të madhe në terrene të caktuara.
Dhe, parimi i tretë që duhet të ndiqet është edhe autoriteti i kandidatit që propozohet. Të anketuarit duhet të shkruajnë në anketën e tyre se cili kandidat ka vlerë më të madhe në këtë komunë dhe cili mund të fitojë zgjedhjet. Pjesë e rëndësishme e vendimarrjes është edhe personaliteti i këtij kandidati, duke i parë aftësitë e tij menaxhuese, autoritetin e tij, moralin, të kaluarën në aspektin kombëtar e fetar, komunikimi me qytetarët…
Çdo parti politike, e në veçanti VLEN, që ndërthurë ndër vete katër subjekte politike, duhet të bazohet në formulën e sipërpërmnedurr duke përfshirë lidershipin, subjektin politik dhe karakteristikat e kandidatit. Në këtë formë, sigurisht që fitorja nuk do të mungojë.
Në zgjedhjen e kandidatëve për kryetar komune duhet lënë anash inatet brenda partiake, lokalizmat dhe interesat personale. Mbi të gjitha duhet të analizohet kombinimi më i mirë fitues, shkruan “Zhurnal.mk”.