Kaluan 100 ditët e rënda për partitë qeveritare, a po vijnë tash ditë të vështira për opozitën shqiptare?

nga I Z

Shkup, 4 tetor – Njëqind ditët e para për qeverinë ishin mjaft të vështira, e veçanërisht për partitë shqiptare në pushtet. U hapën temam të rënda, mjaft problematike, që sollën fërkime deri në paralajmërime për dalje nga qeveria. Ndoshta ende ka dhe do të ktë problem të patejkaluara, megjithatë 100 ditëshi u rrumbullakësua me tone më të qeta dhe me gatishmëri për të ngritur bashkëpunimin në nivel më të lartë, para sfidave që janë duke ardhur.

Deri sa duket që partitë qeveritare kanë kaluar simptomat “ e fruthit 100 ditor”, ditë të vështira po shihen në horizont edhe për opozitën shqiptare, sepse për opozitën maqedonase këto ditë të vështira kanë filluar moti kohë, shkruan Zhurnal.

Kur në opinion zhvillohej debat m mjaft dilema nëse do të ketë ose nuk do të ketë ndryshime në raportet qeveria-opozitë, sa u përket partive shqiptare, si rrufe ka ardhur informacioni për daljen e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe kryetarit të saj, Menduh Thaçi, nga Fronti Evropian. Nuk mund të thuhet se ishte ndonjë “rrufe nga qielli i hapur”, sepse një mundësi e tillë diskutohet tani e disa muaj, por gjithsesi që vendimi i Thaçit është një goditje për Frontin Evropian, në momentin kur vjen.

Është një moment kur Fronti edhe ashtu po përballet me vështirësi për të realizuar paralajmërimet për protesta në “mbrojtje të legjitimitetit”. Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë lojë më të thellë, largimi i PDSH-së dhe Thaçit dëmton Frontin në dy drejtime. E para, Fronti Evropian tashmë do të ketë vështirësi plotësuese për të pretenduar se përfaqëson legjitimitetin shqiptar, kurse opozita ka argument shtesë për të pretenduar se FE thirret në legjitimitet të turqve, romëve e boshnjakëve, e jo të shqiptarëve.

Kjo u vërejt edhe në deklaratën e sotme të zëvendës kryeministrit të parë, Izet Mexhiti, i cili tha se partitë në këtë front nuk janë bashkuar ideologjikisht, por për të mbijetuar në skenën politike. Në deklaratën për media dhënë sot në Haraçinë, Mexhiti tha se nuk ka informacione se negociohet me Thaçin për kalimin e tij në “VLEN”.

“Unë personalisht nuk kam negociata të tilla. Siç edhe paralajmërova disa muaj më parë, ata nuk u bashkuan ideologjikisht apo për qëllime të larta, por se si të mbijetojnë në skenën politike”, ka thënë Mexhiti.
Dëmi i dytë që shkakton për opozitën shqiptare dalja e PDSH-së nga FE, është fakti se ky front mbetet pa një masë të konsiderueshme kritike, e cila është e gatshme të protestojë kundër qeverisë. Dëmi në këtë aspekt është më i madh se sa duket, sepse PDSH sado e dobët që është tani, kryesisht ka anëtarësi që shumë pak ka shijuar “mjaltin” e pushtetit, respektivisht që shquhet me militantizëm opozitar, e që do të thotë anëtarësi e gatshme për të ju përgjigjur çdo thirrje për protesta. Megjithatë edhe BDI, pa humbur kohë, po mundohet t’i përshtatet rrethanave të krijuara, shkruan Zhurnal.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka dalë me kërkesë që VLEN të tërhiqet nga qeveria Mickoski, ndërsa premton që Fronti Europian nuk do të bëhet pjesë e kësaj qeverie. Nuk dihet nëse kjo lëvizje politike është ndikuar nga vendimi i PDSH-së dhe Thaçit, por megjithatë është hera e parë që kreu i BDI-së të dalë me një ofertë të tillë, me të cilën qartazi mundohet ta vendosë në pozitë të palakmueshme koalicionin shqiptar në pushtet, që deri tani e akuzonte BDI-në se në dhomën 161 të Kuvendit ka pranuar të bëhet pjesë e qeverisë Mickoski, madje edhe pa post kryeparlamentari.

Ahmeti fton VLEN-in që bashkë ta ndalojnë, siç shkruan ai “poshtërimin që po ju bëhet shqiptarëve dhe komuniteteve tjera”. “Të dashur qytetarë, dua të përsëris edhe një herë që prioritetet tona përfshijnë:
integrimin europian pa asnjë vonesë dhe pa asnjë hamendje si alternativa e vetme për vendin tonë.
Vetingun për të gjithë politikanët, gjykatësit, prokurorët dhe bartësit e funksioneve publike me monitorim ndërkombëtar.

Verifikimin dhe kontrollin e pasurisë për të gjithë bartësit e përgjegjësive publike në 33 vitet e fundit.
Hetim për procesin e privatizimit dhe tranzicionit bashkë me oligarkinë e krijuar nga ai proces.
Respektim të legjitimitetit etnik të procesit zgjedhor dhe karakterit ndëretnik të institucioneve në përputhje me vullnetin e zgjedhësve dhe komuniteteve”, ka bë apel Ahmeti në formë të shkruar.

Në një ‘post scriptum’ mjaft të gjatë shtuar propozimit të tij, Ahmeti apelon: “Për ta la turpin e tyre nga mosrespektimi i vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje, Vlen le të tërhiqen nga uzurpimi i institucioneve pa legjimitetin e votuesve, ndërsa ne, e përsëris, nuk bëhemi pjesë e Qeverisë, por i ftoj që bashkë ta ndalojmë këtë poshtërsim që po ju bëhet shqiptarëve dhe komuniteteve tjera“. Përgjigjen e VLEN-it ndaj këtij apeli mund ta supozojnë udhëheqësit e BDI-së para se ajo të bëhet zyrtare. Ata më së miri e dinë nëse ndonjëherë si parti janë përgjigjur pozitivisht në apelet për të lëshuar qeveritë ku kanë marë pjesë, sado krizave dhe rrethanave të vështira që janë krijaur./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More