Shkup, 17 dhjetor – Këshilli i Prokurorëve Publikë nesër do të zgjedhë ushtrues detyre të Prokurorit Publik të Shtetit, pasi Kocevski dje dha dorëheqjen, pikërisht në të njëjtën kohë kur Kuvendi duhej të mbante seancën për shkarkimin e tij. Si ushtrues detyre – prokuror, mund të emërohet një nga prokurorët e Prokurorisë Republikane për një periudhë maksimale prej 6 muajsh.
Qeveria duhet ta iniciojë procedurën për pasardhësin e Kocevskit. Kuvendi, me propozim të Qeverisë, e shpall emërimin e Prokurorit Publik të Shtetit më së voni dy muaj para përfundimit të mandatit ose menjëherë pas lirimit të vendit, thuhet në Ligjin për Prokurorinë Publike. Pyetjes se kur do ta nisin procedurën, morëm këtë përgjigje:
“Bëhet fjalë për procese për të cilat, si Qeveri, do të informojmë me kohë. Ju njoftojmë se procedurat janë të parashikuara me dispozita ligjore dhe si Qeveri do të veprojmë në përputhje me to”, njoftojnë nga Qeveria.
Për Prokuror Publik të Shtetit mund të zgjidhet një prokuror ose gjyqtar penal me përvojë të pandërprerë pune prej së paku dhjetë vitesh.
Shpallja zgjat 15 ditë, pas së cilës Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të japë mendim për të gjithë kandidatët e paraqitur. Qeveria mund t’i propozojë Kuvendit për prokuror njërin nga kandidatët që kanë marrë mendim pozitiv nga Këshilli.
Nga ana tjetër, është në përgatitje një ligj i ri për prokurorinë publike. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se po përgatitet dokumentacioni përcjellës për ta dorëzuar propozim-ligjin në Qeveri.
Komisioni i Venecias, në opinionin për ligjin që u publikua në tetor, këshillon që, në vend të shumicës së thjeshtë si deri tani, Prokurori Publik i Shtetit të zgjidhet dhe shkarkohet me shumicë të kualifikuar. Ky kusht duhet ta përmirësojë pavarësinë e personit të emëruar, pasi zvogëlon gjasat për emërimin e një prokurori besnik ndaj një partie, thuhet në opinion. Megjithatë, për këtë rekomandim nevojiten ndryshime kushtetuese.
Kocevski, me më pak se dy vite në detyrë, ka mandatin më të shkurtër të një prokurori publik që nga pavarësia e Maqedonisë. Dje ai akuzoi se procedura e shkarkimit është politike dhe juridikisht e paargumentuar, por këtë nuk e tha drejtpërdrejt në sallën e Kuvendit, por nga salla e konferencave të Prokurorisë. Procedura për shkarkimin e tij, me ndërprerje dhe ndërkohë edhe me interpelancë të votuar, zgjati 10 muaj, gjatë të cilëve ai nuk u tërhoq, ndërsa kritikat e vazhdueshme nga kryeministri i quante – deklarata politike. Dje ai akuzoi se procedura për largimin e tij është shembull i presioneve politike mbi gjyqësorin, të cilat e paralizojnë luftën kundër korrupsionit.