Prokuroria e Fierit kërkoi sot masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për dhjetë zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugorl Fier për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Prokuroria njoftoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasit A.M, S.K, M.G., E.S., J.V, L.M. dhe E.Sh., punonjës të Qendrës së Kontrollit Teknik, pranë DRSHTRR Fier, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si specialistë të kontrollit teknik, me veprime dhe mosveprime, kanë nxjerrë kalues në kontrollin teknik automjete me defekte teknike që përbëjnë rrezik për qarkullimin rrugor, që përmbajnë elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në rrethanën rënduese “më shumë se një herë”.
Sipas prokurorisë së Fierit ka dyshime se personat nën hetim D.H. dhe J,.Q., në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë dhënë shumën prej 2000 (dy mijë) lekë punonjësve të DRSHTRR, Fier, për të nxjerrë kalues në kontrollin teknik automjetin e shtetasit nën hetim J.Q., që përmbajnë elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim si dhe të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga hetimi, prokuroria njoftoi se “gjithashtu ka rezultuar se shtetasi nën hetim D.N., gjatë një komunikimi telefonik i ka ofruar përfitim të parregullt me vlerë të pacaktuar, shtetasit nën hetim J.V, punonjës i Qendrës së Kontrollit Teknik, në DRSHTRR, Fier, për procedurën e kalimit të kontrollit teknik të një mjeti”.
Shtetasi nën hetim J.V. e ka kaluar mjetin dhe nuk e ka kallëzuar këtë krim në organet e ndjekjes penale.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin për hetimin me përparësi të grupveprat që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.