Kosova bëhet donatore e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim të Bankës Botërore

nga D. V.

Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht donatore e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) të Bankës Botërore, me një kontribut të paguar prej 1.4 milionë dollarësh.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se IDA është fondi i Bankës Botërore për 78 vende me të ardhura të ulëta. Projektet e financuara nga IDA nxisin rritjen ekonomike, forcojnë qëndrueshmwrinw dhe përmirësojnë jetën e njerëzve në vendet që mbështesin. Zotimi i Kosovës vjen në një kohë kur krizat e shumta po ndikojnë në mënyrë disproporcionale te vendet me të ardhura të ulëta.

Tutje thuhet se Kosova është gjithashtu një nga 78 vendet huamarrës nga IDA, por që nga shpallja e pavarësisë vendi ka shënuar një progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej gati 50% të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35% të normës së varfërisë. Projektet më të fundit të IDA-s në Kosovë do të mbështesin investime që lehtësojnë tregtinë dhe transportin më efikas, si dhe që forcojnë stabilitetin dhe përfshirjen financiare.

“Duke qenë përfitues të mbështetjes së IDA-s në rrugëtimin tonë të vazhdueshëm të zhvillimit, ne e kuptojmë nga përvoja ndikimin transformues që mund të kenë këto fonde,” tha Hekuran Murati, ministër i Financave i Kosovës. “Jemi krenarë që kontribuojmë për të mbështetur edhe vendet e tjera në rrugën e tyre drejt prosperitetit.”

“Kosova i bashkohet një komuniteti global donatorësh që i mundëson IDA-s të ofrojë financim për zhvillim me kushte koncesionare në 78 vende me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme,” tha Akihiko Nishio, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, i cili mbikëqyr IDA-n. “E përgëzoj Kosovën për këtë vendim për të treguar solidaritet me vendet që mbështeten nga IDA.”

Fondet e IDA-s rifreskohen çdo tre vjet dhe raundi i 21-të i negociatave për IDA-n përfundoi në dhjetor 2024. IDA mbështet një sërë aktivitetesh zhvillimore, përfshirë sigurinë e ujit, ekonominë dhe qeverisjen digjitale, reformën e sistemeve të ndihmës sociale, edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, shëndetësinë, efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër. Këto ndërhyrje trasojnë rrugën drejt barazisë, rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës, të ardhurave më të larta dhe kushteve më të mira të jetesës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More