Tetovë 10 dhjetor – Ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, ditën e sotme ka realizuar njërën nga pikat e platformës së tij, pastrimin e deponisë së egër në fshatin Novo Sellë.
Lajmin dhe pamjet nga terreni Abazi i publikoi në rrjetet sociale, ku theksoi se gjendja e rrugës Bogovinë–Novo Sellë ishte gjetur në kushte tejet të vështira dhe e shndërruar në deponi të egër.
“Pastrimi i deponive të egra ishte një ndër pikat e platformës zgjedhore! Rrugën Bogovinë–Novosellë e gjetëm të shndërruar në deponi të egër dhe të pa mirëmbajtur. Nga sot kjo deponi nuk është më aty!”, shkroi Abazi.
Sipas tij, përveç largimit të mbeturinave, është ndërhyrë edhe në zgjerimin e disa segmenteve të rrugës, duke i dhënë zonës një pamje krejtësisht të re dhe duke përmirësuar qasjen për banorët e komunës.
Abazi theksoi se aksi rrugor ofron bukuri të veçanta natyrore dhe një peizazh mbresëlënës të fushës së Pollogut, të cilat meritojnë mirëmbajtje të vazhdueshme.
Me këtë ndërhyrje, Komuna e Bogovinës shënon një hap konkret drejt përmbushjes së premtimeve dhe rritjes së standardeve mjedisore për banorët e saj.
https://www.facebook.com/share/p/19yPvut1SD/