Kur mosveprimi bëhet politikë, roli i Danella Arsovskës në një koalicion të pashpallur a po e dëmton Shkupin?

nga I.A

Shkup, 2 qershor – Qyteti i Shkupit, dikur me pritshmëri të mëdha për ndryshim dhe modernizim, sot ndodhet në një krizë serioze të funksionimit bazik. Papastërtia, ndërtime pa leje, mungesa e shërbimeve elementare dhe kaosi urban janë bërë përditshmëri e zakonshme e qytetarëve të cilët nuk hezitojnë këto parregullësi t’i denoncojnë publlikisht. Përballë kësaj situate, opinionit publik i lind e drejta të pyesë, ku është drejtimi i qytetit dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjendje? shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndodhë me qytetin e Shkupit?

Deklarata e fundit VLEN-it parti shqiptare pjesëmarrëse në pushtet përmes një konference për shtyp ngre pikëpyetje serioze mbi bashkëpunimin faktik mes kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, përfaqësuesve të BDI-së dhe partisë Levica. Nëse deri dje përflitej në mënyrë të nënkuptuar, sot një numër zhvillimesh konkrete e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për t’u mohuar ekzistencën e një bashkëpunimi të heshtur mes këtyre aktorëve bashkëpunim që, sipas kritikëve, nuk po shërben interesin e qytetarëve, por të grupeve të caktuara me interesa të ngushta.

Emërimet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike janë një shembull i qartë, pjesëtarë të afërt me BDI-në dhe Levicën janë vendosur në pozita kyçe, ndërkohë që shërbimet bazike për qytetarët kanë degraduar, dhe këtë e thonë çdo ditë qytetarët hapur pa u trembur. Në lagje si Çair dhe Saraj, mbeturinat nuk mblidhen në kohë, rrugët nuk pastrohen dhe projektet e premtuara infrastrukturore kanë mbetur në letër. Premtimet publike për investime në Saraj si rrethrrotullimi në hyrje apo lidhja me Kanionin e Matkës kanë kaluar pa asnjë progres të dukshëm.

Është e kuptueshme që kryetarja nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet njëkohësisht, por ajo duhet të tregojë vullnet dhe distancë të qartë nga praktikat që dëmtojnë interesin publik. Heshtja ndaj emërimeve problematike, mungesa e reagimit ndaj degradimit të shërbimeve, dhe mospërmbushja e premtimeve publike për investime në zonat me shumicë shqiptare, janë çështje që nuk mund të relativizohen. Qytetarët nuk i kanë dhënë votën për të qenë spektatore por për të qenë përfaqësuese aktive e nevojave të tyre.

Nëse ekziston një koordinim i heshtur në Këshillin e Qytetit, ku BDI-ja dhe Levica mbështesin raportet e drejtorëve të njëra-tjetrës, kjo duhet të bëhet objekt i analizës qytetare dhe mediatike. Në një sistem demokratik, çdo lloj bashkëpunimi institucional duhet të jetë transparent dhe në shërbim të interesit publik, jo të përfitimeve politike apo ekonomike të një rrethi të kufizuar.

Shkupi nuk mund të ecë përpara nëse mbetet peng i një klime të mosllogaridhënies, ku vendimmarrësit nuk japin shpjegime për veprimet apo mosveprimet e tyre. Po ashtu, qytetarët e Çairit, Sarajit e Shutkës nuk mund të trajtohen si periferi e trajtimeve institucionale ata kanë të drejtën për shërbime, zhvillim dhe dinjitet, ashtu si çdo banor tjetër i këtij qyteti. Pasi në fund të fundit edhe këta qytetarë janë taksapagues sikurse gjithë të tjerët.

Nëse mesazhi i fundit nga preskonferenca e VLEN-it ku kanë trajtuar menaxhimin e qytetit të Shkupit nëse ka një vlerë, ajo është shkalla e bashkëpunimit institucional duhet të zbardhet, përgjegjësitë të ndahen qartë, dhe qytetarët të mos manipulohen me premtime boshe. Koha e justifikimeve ka kaluar. Shkupi meriton më shumë. Shqiptarët e Shkupit meritojnë më shumë. Dhe mbi të gjitha, qytetarët meritojnë drejtues që nuk e shohin heshtjen si politikë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More