Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përgatitet për numërimin e votave të emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme, një proces që do të realizohet për herë të parë.
Gjatë një interviste në Quo Vadis, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar se janë bërë propozime për përfshirjen e forcave politike në administrimin dhe numërimin e votave të emigrantëve, për t’u siguruar që të gjitha palët të ndihen të sigurta në proces.
Celibashi theksoi se është kërkuar ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të mundësuar pjesëmarrjen e partive politike në këtë proces, duke dhënë mundësinë për të patur vëzhgues dhe për të siguruar transparencë të plotë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Le të marrim një shembull, pra nëse do të numërohet qarku i Fierit, të gjitha votat e emigrantëve që përkojnë me qarkun e Fierit do të numërohen në atë kohë që numërohen edhe votat e tjera të Fierit. Si do të realizohet ky proces? Dy opsionet kanë qenë që të menaxhohet gjithë ky proces nga KQZ-ja edhe me pjesëmarrjen e forcave politike. Është pretendim i forcave politike që të kenë edhe ata vëzhgues.
Celibashi: Edhe për këtë, ne i kemi kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të bëjnë ndryshim. Ajo që parashikon sot Kodi Zgjedhor e përcakton si përgjegjësi të administratës zgjedhore të KQZ-së. Duke qenë se ky proces realizohet për herë të parë dhe është me rëndësi që të gjitha palët të ndihen të sigurta në këtë proces, i kemi dorëzuar një propozim teknik Kuvendit të Shqipërisë që procesi i numërimit të votave nga jashtë të realizohet po ashtu si votimi brenda vendit. Që do të thotë, në komisionet që administron këtë proces dhe në grupet e numërimit të ketë anëtarë që propozohen drejtpërdrejt nga partitë politike dhe një person të jetë i caktuar si sekretar teknik nga KQZ. Ky është propozimi ynë si KQZ për Kuvendin e Shqipërisë. E kemi dakordësuar paraprakisht si ide, por shpresojmë që të miratohet ndryshimi përkatës i Kodit Zgjedhor. Në këtë mënyrë do t’i hapet rruga partive politike kryesore për të qenë dhe ato pjesëmarrëse në procesin e numërimit të votave të emigrantëve.