Latifi: Bashkëpunimi me BDI-në është tradhti ndaj 107 mijë votave për ndryshim

nga D. V.
Shkup, 22 prill – Burim Latifi, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Sh.A. MEPSO, ka reaguar ashpër ndaj çdo iniciative për bashkëpunim me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke e cilësuar si një shkelje të rëndë të vullnetit popullor.

“Në zgjedhjet e fundit, 107 mijë vota të pastra shqiptare u dhanë për ndryshim, jo për riciklimin e të vjetrës,” u shpreh Latifi. Ai kujtoi se mobilizimi popullor që solli BDI-në në opozitë pas më shumë se dy dekadash ishte i motivuar nga një premtim për frymë të re në qeverisje dhe politikë parimore.

Sipas tij, çdo takim me drejtuesit e BDI-së bie ndesh me idealet që bashkuan para një viti pesë forcat politike shqiptare – Lëvizja Demokratike, Besa, Alternativa, Aleanca dhe Vetëvendosje – të cilat ndërtuan një koalicion mbi premtimin për ndryshim të vërtetë.

“Marrëveshjet kontraverse me BDI-në paraqesin devijim të skajshëm nga ajo për të cilën qytetarët na besuan,” përfundoi Latifi, duke i bërë thirrje lidershipit politik shqiptar që të mbajë fjalën dhe të mos e tradhtojë shpresën e qytetarëve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More