Shkup, 30 maj – Në një moment kyç për zhvillimet politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi se Ligji për përfaqësim të drejt dhe adekuat është përgatitur dhe pritet të arrijë në Kuvend para pushimeve verore. Ky ligj, i cili synon të garantojë një balancim real dhe të qëndrueshëm në punësimet publike sipas përbërjes etnike të vendit, është ndër aktet më të pritura për komunitetin shqiptar dhe grupet tjera që kërkojnë barazi substanciale në administratën shtetërore, dhe gjitha instituccionet tjera në vend, shkruan Zhurnal.
Sa është i rëndësishëm ky Ligj?
Përtej optimizmit procedural që përcjell deklarata e Gashit, ajo çfarë bie në sy është konteksti politik në të cilin ky ligj po përgatitet, një shumicë parlamentare në lëvizje, një përçarje me Aleancën për Shqiptarët, dhe një atmosferë e mbushur me pasiguri rreth qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës. Vetë Gashi e pranon se ndarja me Arben Taravarin ka ndikuar në disa procese institucionale, edhe pse nuk e lidh drejtpërdrejt me përgatitjen e këtij ligji. E vërteta është se çështje të tilla që prekin barazinë në përfaqësim nuk janë vetëm juridike ato janë thellësisht politike.
Ligji për përfaqësim të drejt dhe adekuat ka qenë prej vitesh një domosdoshmëri e theksuar veçanërisht nga përvojat e shqiptarëve në administratën publike, ku disproporcioni dhe diskriminimi i heshtur kanë qenë të pranishëm pavarësisht garancive kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshja e Ohrit përcakton qartë që përfaqësimi proporcional është jo vetëm i dëshirueshëm, por i domosdoshëm për funksionimin e një shteti shumetnik. Mirëpo, ligji specifik që do ta operationalizojë këtë parim ka munguar dhe aty qëndron rëndësia e nismës aktuale.
Procesi konsultativ që po zhvillohet me Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias është një hap i mençur për të shmangur çdo rrëzim të ligjit për shkaqe formale. Por është po aq e rëndësishme që ligji të mos zbutet apo neutralizohet në thelb nga kompromiset politike. Qasja teknike nuk duhet të zëvendësojë vizionin politik për drejtësi sociale dhe etnike në shtet.
Nëse miratohet dhe zbatohet siç duhet, ky ligj mund të jetë një hap përpara drejt vendosjes së një administrate që reflekton realitetin shumëetnik të vendit, dhe jo një strukturë të centralizuar që favorizon vetëm një grup etnik. Do të jetë një mekanizëm korrektues ndaj padrejtësive të akumuluara dhe një dëshmi se institucionet mund të ndërtojnë besim te qytetarët e të gjitha komuniteteve.
Por suksesi i këtij ligji nuk do të varet vetëm nga teksti i tij, por nga vullneti politik për ta zbatuar me përpikëri. Në këtë aspekt, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile do të kenë rol kyç si mbikëqyrës të zbatimit. Nëse ligji mbetet në letër, ai do të kthehet në një tjetër dëshmi të simulimit të reformës, pa substancë reale.
Megjithatë, në fund ajo që mbetet si sfidë dhe si shpresë është që ky ligj të mos jetë thjesht një angazhim elektoral apo një përpjekje për të balancuar tensionet brenda koalicionit qeverisës, por një hap konkret drejt një shteti që u përket të gjithëve në mënyrë të barabartë. /Zhurnal.mk