Shkup, 24 qershor – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, e nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen Ndërkombëtare për Pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Programin e Bashkimit Evropian “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” (Citizens, Equality, Right and Values -CERV).
Me rastin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje të rëndësishme, Limani e konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut mbi vlerat themelore evropiane – demokracinë, sundimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Përfshirja jonë në Programin e Bashkimit Evropian “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” nuk është vetëm qasje drejt instrumentit financiar, por mundësi thelbësore për përforcimin e drejtësisë sociale, për zhvillimin institucional, si dhe për pjesëmarrjen qytetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Me nënshkrimin e Marrëveshjes për aderim në këtë Program, Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e barabartë me shtetet e tjera anëtare të BE-së në këtë segment”, tha Limani pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Anëtarësimi në Programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” paraqet hap të rëndësishëm në harmonizimin me standardet e BE-së dhe integrimin e vendit tonë në të – po ashtu, kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të kapitujve 23 dhe 24. Krahas kësaj, ky nuk është vetëm një proces i miratimit të zgjidhjeve ligjore, por mbi të gjitha, transformim i vlerave shoqërore, si dhe krijim i një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe demokratike.