Lukoil në “listë të zezë” për tenderë në Maqedoninë e Veriut

nga D. V.

Shkup, 13 janar – Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë përjashtuar kompaninë e naftës “Lukoil Maqedonia” nga pjesëmarrja në prokurimet publike për gjashtë muaj, deri në qershor 2026, për shkak të mosdorëzimit të një garancie bankare për një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes.

Byroja për Prokurime Publike bëri të ditur se ndalimi hyri në fuqi më 17 dhjetor dhe vlen për të gjitha tenderët e institucioneve shtetërore dhe lokale.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se kompania, megjithëse ishte shpallur ofertuesi më i favorshëm për furnizim me produkte nafte për automjete dhe pajisje ushtarake, nuk arriti të sigurojë garancinë bankare të kërkuar.

Lukoil ka deklaruar se pamundësia për sigurimin e garancisë lidhet me sanksionet e SHBA-së ndaj kompanisë mëmë ruse, të vendosura nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), të cilat, sipas saj, prekin edhe filialet jashtë Rusisë.

Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike hodhi poshtë ankesën e kompanisë dhe konfirmoi vendimin e autoriteteve.

Lukoil operon rreth 40 pika karburanti në Maqedoninë e Veriut dhe ka njoftuar se po shqyrton shitjen e aseteve të saj jashtë Rusisë pas përshkallëzimit të sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë.(INA)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More