“Maqedonia dhe BE-ja kanë të njëjtin problem me politikën ndërkombëtare të egër.”

nga Redaksia

Shkruan, Denko Malevski

Duke e injoruar të dytën dhe duke u thirrur në parimet e së drejtës ndërkombëtare për paprekshmërinë e kufijve, Evropa nuk e njeh realitetin e ashpër të shoqërisë ndërkombëtare të shteteve se nuk është e mundur kthimi në gjendjen para pushtimit rus të Ukrainës. Së fundmi, Ursula von der Leyen, para Parlamentit Evropian, bëri publik qëndrimin e Komisionit që ajo drejton për miliarda euro të reja ndihmë ushtarake për vendin fatkeq. Në planin që duhet të realizohet deri më 2030, BE-ja do të “investojë” 500 miliardë dollarë të tjerë për rezistencën e ukrainasve. Pra, lufta duhet të zgjasë të paktën edhe pesë vjet.

Qëllimi? Që Ukraina, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të rikthejë territoret e saj të pushtuara dhe të vendosë sovranitet të plotë mbi vendin. Analistët ushtarakë, megjithatë, mendojnë se lufta tashmë është e humbur dhe se nëse nuk arrihet paqe tani, Ukraina do të përjetojë një humbje totale në fushën e betejës nga një armik shumë më i fuqishëm. Kështu, në vend që të ruhet ajo që mund të ruhet nga Ukraina sot, lufta do të përfundojë me humbje të plotë të vendit, dhe me kalimin e kohës, realiteti i ri në terren do të bëhet “e drejta e re”. Për jetët e reja të ushtarëve ukrainas, Evropa nuk bën llogari edhe pse besohet se tashmë një milion janë humbur.

Cila është logjika se edhe pa Amerikën, e cila dëshiron të tërhiqet dhe të shpallë paqen duke përmbushur kërkesat ruse, Evropa dhe Ukraina mund të arrijnë një fitore – askush nuk e di. Ndoshta mendohet se Donald Trump, i cili thotë një gjë sot dhe tjetër nesër, do të kthehet më në fund te aleatët në një përpjekje të përbashkët për të mposhtur Rusinë. Sipas kësaj logjike, Evropa duhet ta vazhdojë luftën sa më gjatë që mundet. Frika nga një përplasje bërthamore mes Rusisë dhe Amerikës si të mos ekzistojë. Para pak kohësh, ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm suedez Carl Bildt deklaroi se edhe nëse Rusia hedh një bombë atomike mbi Ukrainë, nuk do të shpërthejë një konflikt bërthamor mes dy fuqive të mëdha, gjë që ndoshta është e saktë. Trumpit, që nuk dëshiron luftë, dhe që asnjë njeri normal nuk do të donte të bëhet hi, gjeneralët ndoshta i kanë shpjeguar se të gjitha ndërtesat e tij në biznesin e pasurive të paluajtshme do të shkatërrohen bashkë me qytetet më të mëdha amerikane. Duke i krahasuar ato ndërtesa me “art”, Trump sigurisht nuk do të dëshironte që ato të kenë një fat të tillë.

Por presidentit amerikan nuk i kanë mbetur shumë opsione në dispozicion. Tani që nuk arriti të prodhojë paqe “për 24 orë”, i kanë mbetur vetëm dy opsione: ose të tërhiqet nga lufta dhe t’i lërë evropianët dhe ukrainasit të luftojnë vetë, ose të kthehet te politika e paraardhësit të tij Biden dhe të kërkojë para të reja nga Kongresi për financimin e mëtejshëm të luftës. Opsioni i dytë është pak i mundshëm. Të udhëhequra nga parimet e drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare, shtetet e mëdha evropiane, si dhe Amerika nën Bidenin, janë të gatshme të luftojnë deri te ushtari i fundit ukrainas. Pyes veten nëse do të vendoseshin për paqe tani nëse do të ishin në pyetje jetët e të rinjve gjermanë, francezë apo britanikë. Mendoj se jo. Është e kuptueshme që ukrainasit janë të gatshëm të vdesin – bëhet fjalë për atdheun e tyre, por kjo që po bëjnë evropianët, duke ditur se lufta është e humbur dhe se po vjen shkatërrimi total i Ukrainës dhe i ushtrisë së saj, është fenomen. Në dritën e këtyre fakteve të egra të shprehura në forcë ushtarake, ekonomike dhe të tjera, thirrja në të drejtën ndërkombëtare që Ukraina të rikthejë sovranitetin e saj është çmenduri. Ndoshta politikanët evropianë e krahasojnë situatën aktuale me lëshimin para megalomanisë së Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore dhe secili prej tyre dëshiron të jetë një Churchilli i ri, por situata botërore është shumë ndryshe – ne jetojmë në epokën bërthamore dhe një konflikt midis fuqive bërthamore është fundi i njerëzimit. Prandaj paqja është rruga e duhur, tani sa mund të shpëtohet diçka. Kujtohuni vetëm për thirrjen e Papa Françeskut të ndjerë drejtuar ukrainasve se nuk duhet të ndihen të turpëruar të shpalosin një flamur të bardhë dhe të negociojnë ndërkohë që ende është koha.

Mundime të ngjashme me të drejtën dhe politikën ka edhe shteti ynë. Politikanët ose nuk mund ose nuk duan të kuptojnë dhe pastaj t’ia shpjegojnë popullit realitetet e politikës ndërkombëtare. Që para tridhjetë e pesë vitesh, kur Greqia e bllokoi njohjen tonë nga BE me ndryshimin e emrit, ne e kishim të drejtën ndërkombëtare në anën tonë. Domethënë, është e drejtë e çdo shteti të zgjedhë emrin e vet, dhe padrejtësi është që një populli t’i imponohet emri, por BE-ja u thirr në realitetet e politikës: se çdo shtet anëtar ka të drejtë vetoje. Bashkimet, ndërkaq, formohen për të mbrojtur interesat e anëtarëve të tyre, na u shpjegua. Fakti që komisioni i Badinterit, komisioni i tyre i formuar nga kryetarët e gjykatave të tyre kushtetuese, vendosi në favorin tonë, ishte i pafuqishëm përballë interesit të Greqisë dhe nevojës që Bashkimi të ruajë unitetin e vet. Dekada më vonë, ne në Maqedoni refuzojmë ta kuptojmë këtë dallim dhe thirremi në parimet e së drejtës. Nuk e pranojmë padrejtësinë dhe pikë. Mirë, qytetari i zakonshëm në përpjekje për të sjellë bukë dhe qumësht në tryezën e familjes nuk ka kohë të lexojë dhe analizojë, por politikanët duhet të dinë më mirë. Ose dinë, por e keqpërdorin patriotizmin për qëllime politike. Si të mos kishte ekzistuar përvoja me Greqinë, si të mos shihnin çfarë po i ndodh Ukrainës. Politikanët tanë flasin për botën ideale të së drejtës ndërkombëtare e jo për botën reale të politikës ndërkombëtare. Nuk jam i sigurt se hasin në mirëkuptim tek bashkëbiseduesit e huaj që dinë më mirë.

Presidenti kroat Zoran Milanoviq ishte plot mirëkuptim për pozicionin tonë aktual në marrëdhëniet me BE-në dhe Bullgarinë. Të gjitha mjetet e komunikimit masiv i publikuan fjalët e tij për të drejtën e Maqedonisë për qëndrim të vetin dhe për mospajtim me gjithçka që vjen nga Brukseli. Por askush nuk theksoi vërejtjen e tij se për presidente tonë, “profesoresha” e së drejtës, siç u shpreh ai, i kishte treguar se kështu nuk funksionon BE-ja.

Në bisedat, ndoshta ka dashur t’i thotë se Makiaveli, në kuptimin më të mirë të fjalës, dhe jo ndonjë emër të bujshëm të jurisprudencës, është këshilltari i vërtetë në politikën e çdo shteti të suksesshëm. Pra, nevojitet shumë diplomaci, nga e cila lindin zgjidhje paqësore, e jo thirrje në norma juridike. Edhe nëse kemi të drejtë në gjithçka, por në të gjitha, dhe nuk kemi, paqja dhe si të ruhet populli është më e rëndësishmja. Një anekdotë thotë se në Londër ka një varrezë në hyrje të së cilës shkruan: “Këtu prehen ata që kishin përparësi (në trafik)”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More