Maqedonia e Veriut dhe Turqia do të themelojnë këshill për bashkëpunim në nivel të lartë, seanca e parë në Shkup

nga D V

Shkup, 28 shkurt – Maqedonia e Veriut dhe Turqia do ta thellojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha sferat në nivel bilateral, rajonal dhe global, paralajmëruan kryeministri Hristijan Mickoski dhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, pasi sot në Stamboll kanë nënshkruar deklaratë politike për themelimin e këshillit për bashkëpunim në nivel të lartë mes qeverive të dy shteteve.

Deklarata u nënshkrua gjatë vizitës së parë zyrtare të Mickoskit në Turqi.

“Ky është një hap i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ndërsa bazat për këtë janë në dokumentin ‘Strategjia për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë’, të nënshkruar në vitin 2008. Me qëllim të zhvillimit të partneritetit strategjik, kemi marrë vendim për themelimin e këshillit të nivelit të lartë me qëllim të thellimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë në nivel bilateral, rajonal dhe global”, tha kryeministri Mickoski në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të deklaratës.

Ai shtoi se ai dhe Erdogani kanë pasur një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe konstruktiv, i cili, tha ai, është konfirmim i miqësisë tradicionale, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Mickoski paralajmëroi thellimin e bashkëpunimit në disa sfera, me theks të veçantë në tregti, si dhe u bisedua për bashkëpunim në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.

“Të dy vendet janë aleatë në NATO, ndërsa prioriteti ynë i përbashkët është stabiliteti dhe siguria në rajon. Jemi të përkushtuar si shtet për ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe konfirmimin e miqësisë mes dy vendeve në nivel ekonomik, politik dhe kulturor”, tha Mickoski.

Erdogan shpreson se do të marrë pjesë në seancën e parë të Këshillit që do të mbahet në Shkup. Paralajmëroi se aktivitetet e ardhshme do të rrisin shkëmbimin ekonomik dhe tregtar në një nivel edhe më të lartë dhe vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë po aq të forta sa Ura e Gurit në Shkup.

“Vitin e kaluar kemi pasur shkëmbim tregtar prej një miliard dollarësh, të cilin duhet ta dyfishojmë në rastin e parë”, tha Erdogan, duke shtuar se do të nevojitej një rishikim i Marrëveshjes së tregtisë së lirë.

Erdogan njëheri porositi se Ballkanin nuk duhet shikuar si një vend për konkurrencë midis kombeve, por si një fushë për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More