Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë njoftoi se do të blejë sistemet franceze të mbrojtjes ajrore ”Mistral” me vlerë mbi 626 milionë euro (726 milionë dollarë), si pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët blerjeje me disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, sipas Reuters.
Ministria tha se ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë franceze të Mbrojtjes për blerjen e 231 sistemeve të mbrojtjes ajrore portative “Mistral” (MANPADS) , të prodhuara nga kompania e raketave “MBDA “ dhe 934 raketa, përfshirë trajnim dhe mbështetje logjistike.
Deklarata nuk përmend datën e dorëzimit të pajisjeve.
Ligjvënësit rumunë kishin miratuar për herë të parë planin e blerjes në vitin 2022.
Rumania, një shtet i BE-së dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën dhe ka pasur raste të shkeljes së hapësirës ajrore nga dronë dhe rrëzimin e fragmenteve të tyre në territorin e saj që kur Rusia nisi sulmet ndaj porteve të Kievit përgjatë lumit Danub.
Mbrojtja ajrore rumune përfshin aktualisht avionë “F-16”, sistemet “Patriot”, raketahedhësit “HIMARS” të “Lockheed Martin”, raketat koreano-jugore” Chiron” me rreze të shkurtër veprimi dhe topat gjermanë antiajrorë “Gepard”.
Po ashtu, vendi synon të bashkëpunojë me Ukrainën për të ndërtuar dronë nën një mekanizëm të ri të financimit të mbrojtjes nga Bashkimi Evropian.