Mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, debate në Konferencën e Kryetarëve

nga D. V.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukut.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se kryetari i Kuvendit është në shkelje flagrante të rregullores.

“E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen”, u shpreh Bardhi në konferencën e kryetarëve.

“Kështu siç e keni shkruar i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore.

Bardhi shtoi se “askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne”. Sipas tij, mazhoranca socialiste ka marrë në mbrojtje korrupsionin.

Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste u shpreh se nëse PD ka ankesa të ankimojë vendimin sipas rregullores.

“Nëse grupi parlamentar i PD ka ankesa në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve ta ankimojë këtë vendimmarrje sipas rregullores. Vendimi për të pritur Gjykatën Kushtetuese është vendimi i duhur, sepse edhe vetë Kuvendi është palë në këtë ngërç kushtetues”, tha Balla.

Sipas Ballës, PD bën teatër dhe nuk e ushtron të drejtën e ankimimit sipas rregullores, por bën shfaqje të kota qesharake.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More