Me cilën metodë VLEN do t’i zgjidh kandidatët që të prijnë në komuna?

nga I.A

Shkup, 12 shkurt – Zgjedhjet lokale janë afruar, dhe sigurisht që edhe matematikat e përllogaritjet se kush ku do të garojnë. Koalicioni VLEN i krijuar krejtësisht në formë të shpejtë për t’i bërë ballë furtunës së Frontit Evropian përbehet nga katër parti politike. Që nënkupton se nuk do të jetë fare e lehtë në përzgjedhjen dhe ndarjen e komunave si fazë e parë, e pastaj faza e dytë përzgjedhja e kandidatëve. Si do të bëj këtë VLEN? shkruan Zhurnal.

Komunat e kandidatët “bela” në VLEN?

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e VLEN, Arben Taravari, i pranishëm në një intervistë foli për këtë pjesë me plasoi detaje nga mënyra se si do të zgjedhin komunat dhe kandidatët.

“Kemi shumë kandidatë që janë të përkryer, pak rëndësi ka nga cilat parti vijnë. Për ne e rëndësishme është që të jetë kandidati që e duan qytetarët. E këtë do ta bëjmë vetëm përmes sondazheve në terren, duke filtruar kandidatin e preferuar i cili do të mbetet kandidat final për të pri në garën për zgjedhjen lokale”, tha Arben Taravari në intervistën për Lajm.

Nga ana tjetër bashkëbiseduesi i këtij formati, profesori, Sefer Tahiri, ka përmendur edhe një sërë emrash si kandidat potencial të mundshëm në komuna për zgjedhjet lokale.

“Në Çair përmendet Visar Ganiu nga LD, Bekim Sali nga Alternativa, në Saraj përmendet Blerant Ramadani nga ASH, Hasim Murtezani nga Lëvizja Besa, Orhan Murtezani nga Alternativa, Muhamed Elmazi nga LD, në Zhelinë përmendet Blerim Sejdiun dhe një kandidat tjetër nga ASH”, përmendi mes tjerash profesori, Sefer Tahiri.

Nga ana tjetër, nga gjithë emrat e lartpërmendur ka pasur edhe një konfirmim pozitiv nga ana e mysafirit në këtë tryezë, pra, Arben Taravarit. Kështu që, lirshëm mund të konstatojmë që gjithë këto emra janë pjesë e listave për të qenë kandidatë të mundshëm për të prirë në komunat nga vijnë. Pra, vetëm duke shkuar me metodën e sondazheve të brendshme për të parë se cilët janë kandidatët e preferuar të qytetarëve.

Cilat parti cilat komuna synojnë?

Duke u bazuar edhe te kryetarët aktual që qeverisin në komunat shqiptare, Aleanca për Shqiptarët në krye me Taravarin synon të ketë Komunën e Gostivarit, komunën e origjinës së tij, Dibrën, Strugën, nuk përjashtohet as Likova pasi nga kjo zonë pozitën më të lartë në ekzekutiv e ka kuadri i Taravarit, Arben Fetai. E gjithashtu është përfolur që Taravari ka interes edhe në Komunën e Sarajit.

Nga ana tjetër, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit synon ta mbajë Komunën e Çairit, ta fitojë Komunën e Sarajit, nuk përjashtohet as nga Komuna e Likovës. Madje, nga informata jo zyrtare flitet që ky i fundit ka raporte të përafruara me kryetarin aktual të Likovës, Erkan Arifi. Në komunat tjera nuk është shtrirë akoma LD, prandaj mendohet që nuk do të shprehin ambicie.

Alternativa e Zekirija Ibrahimit fokusin kryesor do ta ketë gjithashtu në Çair, Saraj, e në Likovë, pothuajse gravitojnë në zonën e njëjtë me atë të LD-së. Nuk qëndron keq Alternativa edhe në disa komuna të tjera që përfshihen në rajonin e Pollogut.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit nuk do mend që do tentojnë ta ruajnë Komunën e Tetovës, me çka kryetari aktual i partisë refuzoi pozitë në ekzekutivë vetëm që të vazhdojë e përfundojë mandatin e tij në Tetovë. Ky është edhe sinjal se Kasami nuk tenton të largohet nga Tetova. Ajo që synon Kasami ngjanë të jenë komunat tjera më të vogla që janë në rrethinë të zonës së Pollogut. Me fjalë të tjera gravitojnë në elektoratin e ngjashëm me atë të Taravarit.

Prandaj, duke marrë për bazë këto ndarje hipotetike do të jenë edhe mjaft problematike të bien dakord se cilët kandidat do të jenë në lista. Kjo pasi sipas gjitha gjasave cila parti do të marrë më shumë komuna do të fuqizohet edhe më shumë në pushtetin lokal.

Kujtojmë që, secila do plasaritje në VLEN do të shkojë drejtpërdrejt në favor të BDI-së, të cilët edhe ashtu mezi e presin një gjë të tillë. Tani mbetet të shihet nëse liderët e VLEN-it do të tregohen vigjilent e do t’i ndajnë komunat pa zhurmë sikurse e ndanë kulaçin qeveritar. Apo do të zgjedhin të bëhen pikë e pesë vetëm e vetëm që secili prej tyre ta realizojë atë që e mendon pa bërë kurrfarë kompromisi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More