Metani: Trysnia ndaj gjyqësorit, antikushtetuese

nga D. V.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin Matra të qeverisë së Mbretërisë së Holandës, organizoi sot takimin e nivelit të lartë me institucione të drejtësisë për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.

Në fjalën e tij inspektori i ILD-së Artur Metani tha se u bë kohë që sistemi gjyqësor është nën trysni nga të gjithë dhe se kjo është antikushtetuese për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar.

Metani shtoi se u bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna te kritikat për pushtetin gjyqësor.

“Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes së pushteteve dhe i shtetit të së drejtës, nuk është vetëm retorikë”, tha Metani.

Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, vijoi më tej Metani, “magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë”.

“Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po. Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera”, u shpreh Metani.

Metani tha se deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve.

“Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikërisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”, tha Metani.

Inspektori i ILD-së theksoi se besimi tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por edhe mbrojtja më e mirë.

“Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij”, tha Metani.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More