Mexhiti takoi në sheshin Skenderbe kryediplomaten shqiptare, Spiropali

nga Xh M

Shkup, 22 dhjetor – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot pati kënaqësinë të mirëpresë zonjën Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.

Takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe konstruktive, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet aktuale rajonale, roli i diplomacisë shqiptare në forcimin e lidhjeve mbarëkombëtare, si dhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të interesave të përbashkëta të dy shteteve.

Zonja Spiropali dhe Kryetari Mexhiti vendosën lule pranë bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në shenjë nderimi e përuljeje ndaj vizionit të këtij prijësi historik për orientimin evropian të shqiptarëve. Me këtë rast, ata ritheksuan edhe njëherë se e ardhmja e shqiptarëve është në Bashkimin Evropian si bashkësi e vlerave demokratike dhe model i suksesshëm i integrimit institucional, kulturor e politik të të gjithë popujve.

Prania e znj. Spiropali në Çair gjithashtu përcolli një mesazh të qartë të afërsisë politike, të mbështetjes institucionale dhe vëmendjes së drejtpërdrejtë të shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ky takim konfirmoi vullnetin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, me fokus zhvillimin, integrimin dhe ruajtjen e vlerave që na lidhin si shtete dhe si komb.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More