Shkup, 18 korrik – Sot jemi para një hapi të rëndësishëm për vendin tonë, po forcojmë kapacitetin tonë mbrojtës, po modernizojmë ushtrinë tonë dhe po tregojmë qartë se dimë të investojmë në mënyrë të përgjegjshme, strategjike dhe në interes të sigurisë së qytetarëve tanë, tha kryeministri Hristijan Mickoski, në promovimin e sotëm të baterisë artilerike të përbërë nga gjashtë obusë 105 mm, “Boran” dhe pajisje të tjera shoqëruese, në kazermën “Mirçe Acev” në Prilep.
Në ngjarjen, ku kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, kryeministri Mickoski tha se furnizimi është bërë nga Turqia aleate, e është në kuadër të procesit për modernizimin dhe pajisimin e Armatës.
“Me krenari po njoftoj se përmes Ministrisë së Mbrojtjes, kemi realizuar me sukses dy marrëveshje të rëndësishme për blerjen e pajisjeve të reja moderne ushtarake – pajisje që janë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s. Ky nuk është vetëm një prokurim. Ky është një vizion për Maqedoninë si një anëtare e qëndrueshme, e sigurt dhe e përgatitur e Aleancës së NATO-s. Ky është një mesazh se shteti po bëhet një forcë që qëndron në këmbët e veta”, tha Mickoski.
Në kuadër të marrëveshjes së parë, shtoi ai, janë blerë dhe tashmë janë dorëzuar gjashtë obusë – sisteme të fuqishme artilerie që do të forcojnë kapacitetin e Ushtrisë sonë. Së bashku me to, parashikohet edhe blerja e municioneve me rreze të rritur veprimi, dorëzimi dhe pagesa e të cilave janë planifikuar për vitin 2026. Me marrëveshjen e dytë është siguruar blerja e pajisjeve për obusë – sisteme për komunikim dhe kontroll të zjarrit që do të rrisin ndjeshëm fuqinë e zjarrit dhe saktësinë e veprimeve të njësive tona.
Por, kjo blerje nuk është një rast i izoluar, tha kryetari i Qeverisë, duke shtuar se shteti po investon në ekonomi, në energji, në bujqësi, në shëndetësi, në arsim dhe, po, në mbrojtje.
“Dhe forca e një shteti shihet pikërisht në aftësinë e tij për të mbrojtur sovranitetin e tij, për të garantuar paqen e tij dhe për të qëndruar i vendosur kur sfidohet. Pa siguri, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Pa mbrojtje të fortë, nuk ka stabilitet të qëndrueshëm. Këto nuk janë vetëm numra. Këto janë dëshmi të gjalla të qasjes së re që po ndërtojmë – një qasje në të cilën sistemi i sigurisë zhvillohet tërësisht, me nikoqirllëk dhe me një qëllim të qartë. Le të ofrojmë një sistem mbrojtës që do të bazohet në forcën dhe strategjinë tonë, tha kryeministri.
Ushtria jonë, konsideron ai, me këto pajisje, jo vetëm që do të jetë më e fuqishme, por edhe më e koordinuar, më e saktë dhe më në përputhje me standardet e NATO-s, duke shtuar se nuk ka më improvizime, nuk ka më pajisje të vjetruara dhe mbështetje deklarative, por ka investime reale, një plan, strategji dhe vullnet dhe përgjegjësi.
“Me këtë prokurim, po ndërtojmë shtetin që qëndron me vetëbesim krah për krah me aleatët e tij. Maqedonia që kujdeset për ushtarët e saj, që respekton Ushtrinë e saj dhe që e di se një Ushtri e fortë do të thotë një popull i sigurt. Uroj të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë. Këto pajisje janë për ju. Për sigurinë tuaj, për aftësinë tuaj dhe për përkushtimin tuaj ndaj atdheut. Dhe ju jeni fortesa jonë e parë dhe krenaria e Maqedonisë. Maqedonia duhet të ketë sukses. Dhe do të ketë sukses vetëm nëse është e fortë, e pavarur dhe e sigurt. Ne po ndërtojmë themelet e ndryshimit”, tha Mickoski.