Shkup, 22 nëntor – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot dhe nesër do të qëndrojë në Republikën e Serbisë për vizitë dyditore me rastin e panairit ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm “Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur”.
Mickoski sot pasdite do të ketë takime të ndara me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë me rastin e panairit të tretë ndërkombëtar do të jenë Lupço Dimovski, zëvendëskryeministër për sistemin politik, Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike dhe Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës
Kryeministri Mickoski do të ketë fjalim në hapjen e ngjarjes, pas së cilës do të vijojë shëtitje në panair.
Sonte Mickoski dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Serbisë, Nikolla Tupançevski, do të kenë fjalime në mbrëmjen maqedonase, e cila do të mbahet në hotelin Hajat.
Në panairin e tretë ndërkombëtar për verë, ushqim, raki dhe turizëm “Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur”, që mbahet në Beograd nga 22-24 nëntor do të prezantohen 650 ekspozues nga 38 vende,
Përveç kësaj, vizitorët do të mund të shijojnë edhe Teatrin Gastro – një prezantim i restoranteve dhe hoteleve më të mira nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ku do të përgatitet një menu me tre pjata në kombinim me verërat e përzgjedhura nga somelierët më të mirë nga Serbia.