Shkup, 31 tetor – Ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska pohon se posedon vetëm nënshtetësi maqedonase dhe çeke dhe se për momentin nuk ka dokument të vlefshëm udhëtimi bullgar ose dokument identifikimi. Në kumtesën dërguar nga Ministria e Energjetikës theksohet se Bozhinovska më 15 shtator të vitit të kaluar ka kërkuar vërtetim se heq dorë nga shtetësia bullgare.
“Fatkeqësisht, aktorë të caktuar nga Bullgaria, të cilët nuk janë të interesuar të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë me qëllim të tejkalimit të pengesaave për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian, në vend të kulturës së dialogut, po e keqpërdorin situatën. Shtetësia që e ka poseduar në të kaluarën është marrë për arsye ekonomike, siç e kanë bërë shumë qytetarë maqedonas, e jo siç disa aktorë tani duan ta shtrembërojnë të vërtetën se bëhet fjalë për arsye kombëtare”, theksohet në kumtesën dërguar MIA-s.
BGNES bullgare raportoi se në tetor të vitit 2004, Bozhinovska ka nënshkruar me dorën e saj se ka origjinë bullgare gjatë aplikimit për shtetësi bullgare. Agjencia bullgare publikoi gjithashtu një dokument që pretendon se është një deklaratë e nënshkruar nga Bozinovska.
Kjo ishte edhe tema e seancës së sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, në të cilën kryeministri Hristijan Mickoski tha se Bozhinovska është maqedonase më e madhe se të gjithë.