Dr. Bora Laska është një tjetër mjeke që i është bashkuar ekipit shëndetësor parësor në Lezhë përmes punësimit në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka ndarë në rrjetet sociale një videomesazh të mjekes Laska, e cila është bërë pjesë e ekipit shëndetësor parësor në qarkun Lezhë, përmes portalit të punësimit “Mjekë për Shqipërinë”.
Mjekja thotë se pasi përfundoi studimet për mjekësi të përgjithshme, aplikoi për t’u punësuar në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.
“Aktualisht po bëhet raundi i dytë i vlerësimit si mjeke në sistemin shëndetësor. Aplikimi ishte shumë i thjeshtë, online. Pasi ngarkova të gjithë dokumentacionin si diploma, licenca, mbërrita te pjesa e përzgjedhjes. Procesi është shumë transparent, përzgjedhja transparente në bazë të sistemit të pikëzimit”, tha ajo.
Dr. Laska e mbyll mesazhin e saj me një ftesë për të gjithë profesionistët në fushën e mjekësisë që t’i bashkohen sistemit të shëndetësisë përmes aplikimit në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, pasi e gjithë procedura është e thjeshtë, transparente dhe meritokratike.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në njoftimin e publikuar sot bën të ditur edhe hapat që ndiqen gjatë përzgjedhjes së aplikantëve në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.
Hapi i parë është vlerësimi i plotë i dokumentacionit nga ana e Sekretariatit Teknik për të siguruar përputhjen me të gjitha kërkesat ligjore të çdo aplikanti.
Më pas, dosjet kalojnë në duart e Komisionit të Vlerësimit të Aplikantëve, i cili analizon me kujdes përgatitjen profesionale, përvojën dhe përshtatshmërinë e kandidatëve për vendin e punës. Ata që kalojnë me sukses këtë fazë, ftohen në intervistë, ku vlerësohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Gjatë vitit 2024 dhe deri më 31 mars 2025, përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë punësuar me transparencë dhe meritokraci 345 mjekë dhe 1575 infermierë.