Shkup, 11 gusht – Në lidhje me konferencën e sotme për shtyp të Odës së Stomatologëve, Ministria e Shëndetësisë edhe një herë thekson se vendimi është marrë mbi bazë faktesh, argumentesh dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve relevantë në proces. Vendimi është rezultat i një analize të gjatë dhe gjithëpërfshirëse nga disa ekspertë, theksohet në kumtesën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Kujtojmë se këtij procesi i ka paraprirë një masë e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e ndjekur më pas nga një vendim përfundimtar i së njëjtës institucion me të cilin ndalohej zbatimi i akteve dhe veprimeve individuale. Për më tepër, pavarësisht masës së përkohshme, Oda ka vazhduar me edukimin e vazhdueshëm. Paralelisht, në mbështetje të këtij vendimi është edhe raporti i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, shkruan në kumtesën.
Ministria e Shëndetësisë, siç shtohet, për këtë qëllim kishte formuar dy komisione për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së Odës dhe në të dyja rastet janë konstatuar parregullsi, për të cilat është dhënë një afat ligjor për korrigjimin e tyre, por brenda afateve ligjore nuk është vepruar nga Oda e Stomatologëve.
“Theksojmë se pas mbikëqyrjes së kryer nga komisioni i parë, i formuar në vitin 2024, nuk është vepruar fare sipas rekomandimeve, pra janë plotësisht të pavërteta pretendimet se komisionet “nuk kanë konstatuar parregullsi në asnjë segment të punës së Odës”. Ndërkohë, komisioni i dytë tashmë ka dhënë udhëzime të qarta për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me parregullsitë dhe mangësitë e konstatuara, si dhe propozime për veprimet që duhet të ndërmerren”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar, pas shqyrtimit të përmbajtjes së raporteve dhe dokumentacionit të dorëzuar, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 15.05.2024, ministri vendosi që përkohësisht të marrë përsipër kompetencat për licencim, deri në vendosjen e një sistemi që do të funksionojë në mënyrë ligjore, transparente dhe profesionale.
Ministri Azir Aliu të shtunën informoi se Ministria e Shëndetësisë i ndërmerr të gjitha kompetencat për licencimin e Odës së Stomatologëve.