Shkup, 2 dhjetor – Shefi i diplomacisë Timço Mucunski, dhe ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, kanë realizuar në Bruksel një takim me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Në takim është konfirmuar përkushtimi i Maqedonisë së Veriut ndaj reformave, integrimeve evropiane dhe thellimit të partneritetit me BE-në, veçanërisht në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes, bën të ditur shefi i diplomacisë, Mucunski. Mucunski tha se kanë përcjellë mesazhin për nevojën e një perspektive evropiane të parashikueshme, të drejtë dhe të qartë për vendet e rajonit.
“Ne si shtet gjithmonë jemi të përgatitur për dialog, por po ashtu duhet të ketë edhe nivel të lartë të vetëdijes te BE-ja se jemi shtet që më shumë se 30 vite bën lëshime nacionale dhe ka pritshmëri se do të fitojë garancia adekuate lidhur me parashikueshmërinë e rrugës së saj evropiane. Folëm për proceset reformuese që po ndodhin në vend, përkushtimin e Qeverisë në javët dhe muajt e ardhshëm, të realizojë reforma konkrete, që janë paraparë në agjendën reformuese.”, – deklaroi Timço Mucunski nga MPJ-ja e RMV-së.
Mucunski thotë se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kallas, mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes, sa i përket dialogut të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
“Diskutuam për atë se si e shohim dialogun dhe rrugën përpara, gjithsesi zonja Kallas mund të jetë aktor produktiv në gjetjen e zgjidhjes, por do ta përsëris, zgjidhje që assesi nuk do t’i vendosë në rrezik identitetin, gjuhën tonë dhe simbolet tona historike.”, – theksoi Timço Mucunski nga MPJ-ja e RMV-së.
Në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e lidhjes rajonale dhe për projektet strategjike infrastrukturore, në mesin e të cilave edhe Korridori i 8-të. Po ashtu Mucunski dhe Murtezani kanë riafirmuar përputhshmërinë e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.