Shkup, 17 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i cili po qëndron për një vizitë disaditore në Londër, sot do të takohet me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Komonveltin dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Dejvid Lami.
Pas takimit, është paraparë të nënshkruhet një Deklaratë e Përbashkët për Partneritet Strategjik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, bëri të ditur MPJdheTJ.
Kjo deklaratë ka për qëllim t’i forcojë marrëdhëniet strategjike dypalëshe midis dy vendeve, duke përfshirë bashkëpunimin në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, veçanërisht në kuadër të NATO-s, drejtësisë dhe punëve të brendshme, luftës kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, përballjes me korrupsionin dhe rrjedhave të paligjshme financiare, si dhe rritjes ekonomike.
Qëllimi i vizitës së Mucunskit, siç theksojnë nga MPJdheTJ, është intensifikimi i marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe duke forcuar dialogun politik dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.