Nivelizimi i çmimit të barnave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndonëse është destinuar që të sjellë lehtësira për qytetarët dhe xhepin e tyre, ka prodhuar efekt negativ sa i përket furnizimit të barnatoreve me medikamente.
Së fundmi barnatoret në sektorin privat janë duke u përballur me mungesë të përfuzioneve si NaCl, glukozë e të tjera, pikërisht për shkak të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për nivelizimin e çmimit të barnave.
Një mungesë të këtyre produkteve që janë jetike për shëndetin e qytetarëve e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.
Sipas shoqatës, arsyeja kryesore për mungesën e këtyre produkteve është çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili sipas tyre është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot reale të furnizuesve.
Ata gjithashtu shtojnë se Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një vendim të ri, i cili mund të ndihmojë në përmirësimin e situatës.
“Në ndërkohë, MSH ka nxjerrë një vendim të ri me të cilin distributoret farmaceutik ose BAM (Bartësit e Autorizimit të Marketingut ose përfaqësuesit e tyre) mund të aplikojnë me kërkesë për ndryshim /përmirësim të çmimit dhe ne besojmë që kjo do të na ndihmojë shumë në vazhdimësi të furnizimit dhe normalizim të tregut në përgjithësi me produkte farmaceutike”, thuhet në përgjigjen e SHDPFMK-së për Telegrafin.
“Faktori kryesor është çmimi i caktuar ku në shumicën e rasteve, çmimi i miratuar nga MSH nuk është bërë sipas Nenit 8 të Ligjit sipas çmimeve mesatare të vendeve referente por sipas çmimit CIP, duke miratuar kështu çmime nën çmimet furnizuese,” ka theksuar Shoqata, duke shtuar se kostot e tjera, si transporti, leja e importit dhe operacionet e tjera, nuk janë përfshirë në çmimet e miratuara.
Një tjetër shqetësim që është shprehur nga barnatoret, është fakti që disa depo furnizuese po ofrojnë barna me çmime të vjetra, të cilat nuk përputhen me listën e çmimeve të reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Problem tjetër thelbësor janë stoqet e krijuara tek depot farmaceutike për të cilat MSH nuk ka dhënë ndonjë afat dhe alternativë për zbrazjen e stoqeve me çmime të vjetra. Prandaj barnatoret me të drejtë shqetësohen për furnizimet e reja, por edhe për stoqet e tyre të furnizimeve të mëhershme, pasi që në rast se stoku i blerë më herët nga barnatorja (për çka janë paguar taksat ndaj shtetit në bazë të çmimeve të blera/paguara) sikur të shitej në çmimin e blerë (sipas çmimeve të miratuara) do të kishte humbje të konsiderueshme financiare.” ka deklaruar Shoqata.
SHDPFMK ka kërkuar një periudhë kohore për zbrazjen e këtyre stoqeve dhe fillimin e importimit të produkteve me çmime të reja, duke kërkuar që ky proces të mundësohet në një afat prej 3-6 muajsh.
“Ne si Shoqatë kemi kërkuar disa herë përmes kërkesave të shkruara dhe reagimeve publike nga MSH që të mundësojë një afat prej 3-6 muaj për zbrazje të stoqeve nga depot dhe barnatoret, kurse me zbrazjen e stoqeve të vjetra të fillohet me importin e produkteve me çmime të reja (aty ku është e mundur dhe e leverdishme)”, thuhet në përgjigjen e SHDPFMK-së për Telegrafin.
Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe palët e tjera të interesuara për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me barna esenciale dhe për të ndaluar praktikat e shitjes me çmime të vjetra.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë rreth situatës së krijuar, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë se Ligji për çmimin e produkteve medicinale nr. 08/L-220 ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023, ndërkaq Lista zyrtare e çmimeve, sipas vendimit nr. 05-10072, datë 23.12.2024, ka hyrë në fuqi nga data 01.02.2025.