Abdi Baleta, një nga figurat më të spikatura të politikës, diplomacisë dhe mendimit publik shqiptar, është ndarë nga jeta. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shkruan në një status në FB se ish-deputeti, ambasadori dhe një nga zërat më të fortë të çështjes kombëtare, Baleta dha një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e pluralizmit dhe të mediave të lira në Shqipëri.
Ai ishte një ndër intelektualët e parë që mbështeti lëvizjen demokratike në dhjetor të vitit 1990, duke qenë një zë i guximshëm në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Postimi i plotë në FB:
Homazh për Abdi Baletën
Të dashur miq,
Abdi Baleta, njëri nga politikanët, intelektualët dhe akademikët më të njohur të vendit, mbylli dje sytë përgjithmonë. Ish-ambasadori Abdi Baleta dha një kontribut të çmuar në themelimin e pluralizmit politik dhe të mediave të lira në Shqipëri. Ai ishte ndër të parët diplomatë dhe intelektualë të kohës që u bashkua në ditët e para të lëvizjes demokratike.
Në dhjetor 1990 ai mbështeti themelimin e PDSH-së dhe, që në ato ditë, me një grup intelektualësh, themeloi Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Abdi Baleta, në vitet 1991-1996, ishte deputet i Partisë Demokratike dhe në ato vite ai themeloi dhe drejtoi Partinë e djathtë “Rimëkëmbja Kombëtare”, si dhe botoi gazetën e saj “Rimëkëmbja”.
Avokat i apasionuar i çështjes kombëtare, polemist, autor i qindra e qindra artikujve dhe fjalimeve, Abdi Baleta mbrojti me përkushtim dhe vendosmëri të palëkundur interesin kombëtar dhe mendimet, vlerat, parimet, idealet në të cilat ai besonte.
Duke shprehur nderimin tim të thellë për ndihmesën e tij të çmuar dhe bashkëpunimin që kemi pasur, i shpreh familjes së nderuar Baleta, miqve dhe të afërmve të tij ngushëllimet e mia më të ndjera dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar.