Shkup, 3 tetor – Nënkryetari i Kuvendit dhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski dhe deputetët Marija Miteva, Mile Lefkov dhe Ivanka Vasilevska, realizuan takim me deputetin gjerman Peter Bauer dhe menaxherin e programit në Fondacionin Konrad Adenauer, Davor Pashovski.
Në takim u bisedua për sfidat dhe mundësitë aktuale në procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, me fokus të veçantë në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. U theksua veçanërisht roli i Gjermanisë si partner kyç në mbështetjen e integrimit evropian dhe rëndësia e bashkëpunimit me institucionet e BE-së për përfundimin me sukses të proceseve reformuese.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht përmes mekanizmave aktivë, siç është pjesëmarrja aktive në Procesin e Berlinit, me qëllim promovimin e stabilitetit, reformave demokratike dhe progresit ekonomik.
Deputetët theksuan gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga organizatat ndërkombëtare, si Fondacioni Konrad Adenauer, në zbatimin e iniciativave që forcojnë kapacitetet e institucioneve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe me Bullgarinë, të cilat vazhdojnë të përbëjnë një sfidë serioze për integrimin evropian të vendit. U theksua se dialogu dhe respekti i ndërsjellë mbeten faktorë kyç në zgjidhjen e çështjeve të hapura, të cilat duhet të sjellin rezultate konkrete për përmirësimin e marrëdhënieve dhe zhbllokimin e rrugës evropiane.
Takimi përfundoi me marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Fondacionit Konrad Adenauer në drejtim të mbështetjes së aktiviteteve parlamentare për përmirësimin e funksionalitetit institucional.