Bllacë, 12 prill – Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të përurojnë pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”. Ceremonia ka nisur në ora 11:00 brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot do të marrin pjesë në projektin e përbashkët të kontrollit kufitar (One Stop Shop) në pikën e përbashkët kufitare Bllacë – Elez Han.
Gjatë vizitës së sotme kryeministri Mickoski është paraparë të deklarohet për mediat.
Për këtë temë, përveç Mickoskit, i cili deri më tani ka folur për One Stop Shop, paraprakisht ka folur edhe ministri Pançe Toshkovski. Sipas tij, instalimi i komponentëve teknikë është në fazën përfundimtare. Po bëhen përgatitjet për rrjetëzimin e sistemeve të dy vendeve.
“Ne patëm mundësinë të shohim se si do të funksionojë sistemi përmes një platforme të vetme. Informacioni do të ndahet ndërmjet ministrive. Kjo do të mundësojë kontrollin nga vetëm një polic për hyrjen e qytetarëve të Kosovës në Maqedoni dhe anasjelltas,” vuri në dukje Toshkovski.
Në kuadër të përgatitjeve do të kryhen punime të vogla ndërtimore. Do të zgjerohen hyrjet në Maqedoni. Numri i kabinave të hyrjes në Kosovë do të rritet nga tre në gjashtë. Kjo do të kontribuojë në reduktim të ndjeshëm të kohës së pritjes në kufi.
“One Stop Shop” do të zgjerohet edhe në kufijtë e tjerë
Ministri Toshkovski njoftoi se pas implementimit të suksesshëm me Kosovën, ky sistem do të futet edhe në pikat kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë, me çka do të lehtësohet qarkullimi ndërkufitar dhe do të rritet efikasiteti i kalimeve kufitare.