Shkup, 15 nëntor – Që nga sot hyn në fuqi detyrimi për përdorimin e pajisjeve dimërore për automjetet. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.
Për të shmangur gjobat dhe shkeljet në komunikacion, nga AMSM thonë se është e nevojshme që automjeti juaj të jetë në përputhje me kërkesat e përcaktuara:
– Automjetet deri në 3.500 kg: nevojiten goma dimërore në të katër rrotat me thellësi të shollës minimum 4 mm, ose goma verore me të njëjtën thellësi, me detyrim të mbahen zinxhirë bore.
– Automjetet me tërheqje në të gjitha rrotat (4×4): goma dimërore me thellësi prej të paktën 6 mm, ose goma verore me minimum 4 mm thellësi dhe zinxhirë bore.
– Automjetet mbi 3.500 kg: goma dimërore me thellësi prej 6 mm në rrotat lëvizëse, ose goma verore me minimum 4 mm, me zinxhirë bore të detyrueshëm.
Përveç kësaj, autobusët dhe automjetet e transportit duhet të mbajnë mjete pune si lopatë, nëse nuk mund të përdorin zinxhirë bore, informojnë nga AMSM.